70 milionë euro shtesë për stacionin filtrues në Shkup, por ende nuk dihet se kur do të realizohet projekti

TË FUNDIT

Edhe 70 milionë euro shtesë janë siguruar për realizimin e projektit për stacionin filtrues për ujërat e zeza në Qytetin e Shkupit. Ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova tha se pret të tejkalohen të gjitha pengesat që ky projekt të fillojë të realizohet.

“Unë shpresoj se do t’i tejkalojmë të gjitha pengesat që i kemi sa i përket këtij projekti dhe do se marrëveshja për mbikëqyrje dhe marrëveshja për ndërtim do të nënshkruhen së shpejti. Tashmë kemi biseduar me kryetaren Arsovska do të realizojmë edhe takim së bashku dhe do të vërtetojmë afatet më të shpejta të mundshme kur këto marrëveshje do të nënshkruhen dhe të fillojmë me zbatimin e këtij projekti”, tha Kaja Shukova, ministre e Mjedisit.

Ky projekt ishte mollë sherri mes kryetares së Shkupit Danella Arsovska dhe VMRO-DPMNE-së, të cilët gjatë shtatorit 2022 akuzonin njëri-tjetrin për keqpërdorime gjatë tenderimit. Si pasojë aso kohe u shkarkua edhe drejtori i NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” Zllatko Perinski. Për këtë çështje u pyet edhe nënkryetarja e  Bankës Europiane për Investime, që njëherit është edhe financues i këtij projekti.

“Ajo që unë mund të them është se procesi i furnizimit u mbarua me sukses nuk kishte lëshime dhe kemi dritë jeshile për nënshkrimin e marrëveshjeve për mbikëqyrje dhe ndërtim nga ana e NP “Ujësjellës dhe Kanalizim””m pohoi Liljana Pavllova – nënkryetare e BEI për Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt ka rëndësi të veçantë për mjedisin dhe qytetarët prandaj edhe duhet të jetë mbi interesat politike tha zëvendëskryeministri për çështje europiane.

“Me këtë lloj mbështetjesh e sjellim Europën në shtëpi. I sjellim standardet dhe mënyrën e jetesës së BE-së tek ne dhe në kryeqytet”, tha Bojan Mariçiq – zv.kryeministri për Çështje Europiane.

Me grantin e sotëm projekti arrin vlerën e afro 200 milionë eurove, ndërsa nga i njëjti do të përfitojnë më shumë se 500 mijë qytetarë. Në këtë drejtim do të mundësohet trajtimi primar dhe sekondar i ujërave të zeza në kryeqytet, i cili do të plotësojë kërkesat minimale të Direktivave të BE.

Përndryshe, për realizimin e projektit duhet të përfundojë procesi i shpronësimit dhe dokumentacionit urbanistik me Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Gazi Babës, si dhe kontratat për ndërtim dhe mbikëqyrje nga NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”.