6,31% dalja deri në orën 10:30. Një vendvotim nuk është hapur aspak

TË FUNDIT

Deri në orën 10:30 kanë votuar 6,31% e votuesve nga lista zgjedhore e cila të regjistruar ka gjithsej 1 808 131 votues. Këto të dhëna Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka mbledhur nga 75% e vendvotimeve në gjithë vendin.

Dalje më e lartë është shënuar në Prilep dhe Shën Nikollë me 11%, Pehçevë 10,22%, Novac 10,63%, Demir Hisar 10,12% dhe Makedonski Brod 10,11%.

Më pak dalje deri në orën 10:30 ka pasur në Bogovinë 1,79%, Likovë 0,97%, Dollnen 1,85% dhe Zhelinë 1,82%.

Vendvotimi me numër 2344 në Komunën e Studeniçanit nuk është hapur aspak. Zëdhënësja e KShZ-së Ljupka Guguçevska tha se nuk i dijnë arsyet, ndërsa shtoi se për shkak se hapja e këtij vendvotimi është vonuar më tepër se 3 orë, i njëjti nuk do të hapet sot. Ky vendvotim numëron 60 votues, ndërsa mund të hapet vetëm nëse më vonë konstatohet se numri i përgjithshëm i këtyre votuesve ndikon në rezultatin final të zgjedhjeve Presidenciale.

Në Komunën e Bogovinës, vendvotimi 1273 është hapur me një orë vonesë, andaj procesi i votimit këtu do të zgjasë një orë më shumë.

Parregullësi dhe vonesa të tjera nga KShZ nuk raportohen./TV21