621 denarë më shumë në llogari, por te pensionistët ende ka pakënaqësi

TË FUNDIT

Bankat sot që në mëngjes ishin të stërmbushura me pensionistë, të cilët prisnin në radhë për të tërhequr pensionet e rritura për 621 denarë më shumë.

Një pjesë e tyre theksojnë se janë të kënaqur me këtë rritje të pensioneve, por ka edhe nga ata që thonë se me gjithë këtë rritje, nuk mund të plotësojnë kërkesat dhe nevojat jetësore.

“Deri tash kam marrë 8 900 tash do të marr 9 500, asgjë. Vetëm për barna. Nuk kam, a të ha, a t’i paguaj llogaritë”…”Asnjëherë nuk janë të mjaftueshme paratë.  Super, a ka punë më të mirë se ajo. Kjo është vetëm për shtresën e varfër, ndonjëherë duhet të bëhet bilanc, ata të cilët kanë kontribuar të marrin në përqindje më tepër. Nëse i marrin në mënyrë paushall u bëhet padrejtësi atyre, të cilët kanë investuar më tepër në fond. Për t’i stimuluar më tepër të rinjtë që të investojnë, duhet të ketë më tepër përfaqësim të barabartë”…”Faleminderit Zotit, mirë është. Tash kam 9 000, do t’i kem 10 000. Nuk është e mjaftueshme, pagesat janë të larta, nga 5 -6 llogari më vijnë, rryma, ngrohja, telefoni, televizioni. Është shtrenjtë, rëndë e kam, shume e kam rëndë”…”Nuk është mjaftueshëm, por si është situata, mund të them – me këtë do bëhet si ndihmë e vogël. Është rëndë. Nga njëra anë na i rrisin pensionet, nga tjera anë i rrisin çmimet” – këto janë disa prej vlerësimeve të pensionistëve, të cilët i pyetëm lidhur me rritjen e fundit të të ardhurave të tyre.

Nga Lidhja e Pensionistëve thonë se kjo rritje e pensioneve  ndikon në jetën e mbi 300 mijë pensionistëve në Maqedoni. “Sigurisht që ndikon, 600 denarë nuk janë pak, ndoshta edhe nuk janë shumë, por nuk janë pak për momentin që do të merren në këtë muaj. Është me rëndësi se kjo rritje, 621 denarë, do ta marrin çdo muaj, nuk është vetëm njëherë, pensionistet këtë shtesë do ta marrin çdo muaj, do të thotë që brenda vitit do të bëhen 100 euro me shumë. Ndoshta ka të tillë, sikur ata të cilët kanë pensione më të mëdha i duket pak, por shumica e pensionistëve janë të kënaqur”, thotë Besnik Procesta, nënkryetar i Lidhjes së Pensionistëve.

Ministri i Financave Zoran Stavreski deklaroi se me rritjen e pensioneve është plotësuar një nga premtimet më të mëdha të Qeverisë. “Në këtë mënyrë, ne po ndihmojmë që të përmirësohet standardi jetësor i pensionistëve në Republikën e Maqedonisë. Siç e dini, në Buxhetin për vitin 2016 është paraparë rritje e re e pensioneve, edhe për 650 denarë, për çdo pension, që do të rritet në tetor të 2016-tës.  Përveç kësaj ne edhe me masa të tjera po përkrahim pensionistët në drejtim të përmirësimit të kushteve për jetesë për 300.000 persona”, theksoi ai.

Ministri Stavrevski deklaroi se qeveria aktuale, nga viti 2006 deri tani, ka rritur pensionet për 70 për qind.

Arbana Qerimi