Marrëveshja për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, përveç përfitimeve politike dhe të sigurisë për Maqedoninë, do të sigurojë edhe hua të favorshme prej 6 miliardë eurosh, të cilat do të përdoren për investime në disa fusha. Tashmë është bërë e ditur se një pjesë e këtyre fondeve janë planifikuar për përfundimin e spitalit klinik në Shtip, së bashku me godinën e re të fakultetit të mjekësisë dhe një konvikt studentor me kapacitet prej 200 shtretër. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi i spitalit të ri në Kërçovë, së bashku me një qendër shëndetësore, si dhe rikonstruksioni i spitalit klinik në Tetovë. Kushtet e kësaj huaje ende nuk janë përcaktuar plotësisht, por pritet të jenë të favorshme.
“Shumë shpejt nga sot kjo do të kumtohet në opinion. Referencë për ne është Euribori, dhe kemi dy parametra fiks: grejs periudha dhe kohëzgjatja e kthimit të huasë. Deri tani janë fiksuar disa projekte, siç është rikonstruksioni dhe modernizimi i linjës hekurudhore që do të lidhë Tabanocën dhe Gjevgjelinë. Me këtë projekt, presim që transporti i mallrave në këtë linjë të rritet dhjetëfish dhe gjithashtu të shtohet numri i pasagjerëve që do ta përdorin atë”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së.
Ky është projekti më i madh i kësaj vale të investimeve dhe sipas informacioneve të TV21 një pjesë e hekurudhës ekzistuese do të rikonstruktohet, por një pjesë e madhe do të jetë trasë e re, me çka do të ketë linjë të dyfishtë, prej të cilave njëra për transport mallrash që do të mundësojë shpejtësi prej 120 kilometrave në orë, ndërsa njëra linjë për trafik pasagjerësh me shpejtësi prej 160 kilometrave në orë. Ky projekt fillimisht vlerësohet se do të kushtojë 1.5 deri në 2 miliardë euro. Marrëveshja për hekurudhën pritet të nënshkruhet së shpejti.
“Jam i kënaqur që javën e ardhshme do ta kemi zëvendëskryeministrin në Londër për të nënshkruar marrëveshjen ndërqeveritare, e cila fokusohet në prioritetet tregtare dhe investuese që i përmendët, Kryeministër. Prandaj, mendoj se bëhet fjalë për një sërë marrëveshjesh që do ta forcojnë realisht partneritetin tonë dypalësh, nga maja e qeverisë e deri më poshtë, nga kryeministrat e poshtë”, theksoi Metju Lloson, ambasador i Britanisë së Madhe në Maqedoni.
Ky huazim i madh ngre edhe çështjen e borxhit publik. 6 miliardë euro përbëjnë pothuajse 40% të BPV-së, që do të thotë se mund të shkaktojë presion serioz mbi nivelin e borxhit të vendit. Kryeministri Mickoski thotë se grejs periudha që është përfshirë në marrëveshje do të mundësojë rritje më të shpejtë të BPV-së në raport me kohën kur do të fillojë pagesa e kësteve, që pritet të nisë në vitin 2027.
“Pres se në kuptimin e fundit efektet të jenë në drejtim të uljes së borxhit publik dhe jo të rritjes së tij, sepse bëhet fjalë për investime kapitale, nuk është fjalë për huazim për shpenzime, transfere sociale etj”, theksoi Mickoski.
Mickoski shtoi gjithashtu se për projektet e tjera që do të përcaktohen në të ardhmen, së shpejti do të takohet me komunitetin e biznesit për të përcaktuar prioritetet dhe për të parë nëse ekonomia e Maqedonisë mund ta ndjekë këtë valë të re investimesh.
“Duhet të shohim si e kemi kapacitetin për absorbim, për shkak se në marrëveshje janë paraparë së paku rreth 70% komponentë lokale. Kështu që kjo me të vërtetë paraqet diçka që do të jetë mbështetje e madhe për ekonominë maqedonase”, shtoi Mickoski.
Mickoski beson se shpresa te qytetarët dhe kompanitë është kthyer dhe se kjo është bazë për përmirësimin e ekonomisë.