5 vite pritje për leje ndërtimi! Universiteti “Nënë Tereza” do të ndërtohet afër kazermës “Ilinden”

TË FUNDIT

Që në themelim në vitin 2015, Universiteti “Nënë Tereza” nuk ka objekt të vetin.

Në mungesë të kampusit, përfundimin e vitit akademik gjenerata e parë e të diplomuarve kapelat i hodhi në sheshin “Skënderbeu”.

Po çka u tha ndër vite për ndërtimin e objektit? Në 2017-tën, asaj kohe zëvendësministri i Arsimit, Visar Ganiu, tha se objekti i Universitetit “Nënë Tereza” do të jetë gati brenda tre viteve.

“Unë mendoj që në tri faza dhe brenda tre viteve Universiteti do të duhet të lëshohet në përdorim”, deklaroi Visari Ganiu në vitin 2017, në rolin e zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Në vitin 2018 nga Qeveria thanë që në procedurë është shpronësimi i një objekti që është nën kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes.

“E gjitha kjo procedurë është në rrjedh dhe nuk mund të jap detaje momentalisht se deri ku është procedura”, pati deklaruar Muamet Hoxha, zëdhënës i Qeverinë në vitin 2018.

Vetëm tani, në vitin 2021, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve aprovoi lejen e ndërtimit të objektit universitar në një pjesë të kazermës “Ilinden”.

Rektori i Universitetit, Aziz Pollozhani tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm që hap rrugën e mëtutjeshme për ndërtimin e kampusit për “Nënë Terezën”.

“Pas tre vjetëve kështu të një rrugëtimi të gjatë të dokumentacionit dhe me mbështetjen dhe ndihmën e tij të përditshme sot po na vjen lajmi që është aprovuar nga ana e Ministrisë të Transporti për komunat për pëlqimin e dhënies së lejes për planin detal urbanistik që hap rrugën e mëtutjeshme për ndërtimin e kampusit Universitar “Nënë Tereza””, tha Aziz Pollozhani.

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepin, i pyetur se kush e ka penguar deri më tani dhënien e lejes për ndërtim, tha se nuk dëshiron të flasë për pengesat. Ndërkaq as nuk ka një afat kohor se kur mund të përfudojë ndërtimi i objektit.

“Edhe sa vjet do të duhet që të ndërtohet Universiteti?
-Nuk besoj se do të duhet edhe shumë vjet. Unë nuk bisedoj për afate, po bisedoj vetëm për punë të kryera”, u shpreh Rexhepi.

Deri sa të nisë dhe të përfundojë ndërtimi i objektit universitar, studentët e këtij universiteti do të vazhdojnë të ndjekin studimet në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” dhe ndërtesa e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.