5 vite nga 27 prilli i përgjakshëm në Kuvend. Për të përkujtuar ditën kur turma e protestuesve u fut në Kuvend dhe dhunoi deputetë, opozitarja Aleanca për Shqiptarët përballë shtëpisë ligjvënëse vendosi disa fotografi që tregonin dhunën e asaj nate, por edhe zyrtarë që në atë kohë ishin përgjegjës për rendin edhe sigurinë. Mes tyre të BDI-së, LSDM-së por edhe VMRO-DPMNE-së.
Në protestat e asaj kohe, krahas figurave të ndryshme të VMRO-DPMNE-së, në turmë është parë edhe Hristijan Mickoski, kryetar i tanishëm i VMRO-DPMNE. I pyetur për bashkëpunimin e tanishëm mes VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët, zëdhënësi i kësaj të fundit u shpreh tha se “kur nuk mund të rrëzoni diçka që doni ta rrëzoni, një ditë duhet të pajtohesh se duhet të bashkëpunosh me të”.
“Bashkëpunimet e supozuara politike në nivel lokal janë për qytetarët. Ne nuk mundemi për shkak të inateve të së kaluarës të paguajnë qytetarët. Jemi absolutisht të bindur se ky bashkëpunim me VMRO-DPMEN-në në nivel lokal ka sfidat e veta, ka momente të mira dhe të këqija, por shpresoj se edhe këto do t’i tejkalojmë, për shkak të qytetarëve e jo për vetë ne”, tha Naim Bajrami, Aleanca për Shqiptarët.
E deri sa nga njëra anë ASh përkujtoi dhunën në Kuvend, nga ana tjetër një prej drejtuesve të lëvizjes protestuese “Për Maqedoni të përbashkët”, Igor Durlovski, protestoi me një performansë duke u mbyllur para grilave të improvizuara me mbishkrimin “Heshtja është flori”. Nuk deshi të flasë për mediat.
Për ngjarjen e përgjakshme foli edhe partia në pushtet LSDM. Jovan Mitreski tha se e enjtja e përgjakshme është fytyra e vërtetë e VMRO-DPMNE-së.
“Asnjëherë për këto 5 vite nuk pamë asnjë kërkim falje, asnjë lloj pendese nga Hristijan Mickoski dhe drejtuesit e VMRO-DPMNE-së, përkundrazi, personat që janë dënuar për veprën penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues VMRO-DPMNE dhe Mickoski, edhe pse nuk janë, i quajnë mbrojtës të Kushtetutës”, pohoi Jovan Mitreski, LSDM.
Nga VMRO-DPMNE të vetmen gjë që e kanë thënë sot për 27 prillin, është përcjellja e një kumtese përmes e-mailit të fjalës së Kryetarit të Unionit të Veteranëve, Mane Jakovlevski, i cili, siç shkruhet, ka thënë se “për herë të parë në historinë e një shteti sovran, terroristët që nuk mbanin asnjë armë u dënuan për terrorizëm, mbrojtësit e Kushtetutës dhe familjet e tyre kërkojnë rikthimin e gjykimit për rastin e 27 prillit”. BDI, Alternativa dhe Besa deri më tani nuk kanë shkruar asgjë për 5 vjetorin e ngjarjeve të 27 prillit.
