Pavarësisht se nuk u arrit marrëveshje me kompaninë ajrore me kosto të ulët Ryanair, Qeveria njofton zgjerimin e rrjetit ajror dhe futjen e linjave të reja nga aeroportet e Maqedonisë gjatë sezonit të verës. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se këtë verë do të hapen pesë linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri, duke vlerësuar se vendi mbetet aktiv në fushën e trafikut ajror pavarësisht sfidave globale në industri.
Ai theksoi se shteti mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha kompanitë ajrore, por nuk do të pranojë kushte që, sipas tij, do të ishin në dëm të operatorëve të tjerë dhe interesave shtetërore.
“Japim subvencion prej 9 eurosh për çdo pasagjer të huaj në aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për atë të Ohrit. Nëse duan të marrin pjesë, dera është e hapur. Por nuk mund të pranojmë shantazhe dhe kërkesa për subvencione më të larta vetëm për një kompani”, deklaroi Nikolloski.
Sipas njoftimeve, Austrian Airlines do të vendosë linjë direkte Vjenë–Ohër, ndërsa në qershor do të nisin edhe fluturime nga Krakov dhe Vroclav drejt Ohrit. Nga aeroporti i Shkupit, ndërkohë, do të hapen dy destinacione të reja verore – Palermo në Sicili dhe Alghero në Sardenjë.
Nikolloski theksoi se Maqedonia është i vetmi vend në rajon që hap linja të reja ajrore në një periudhë kur industria globale e aviacionit po përballet me krizë serioze.
Ministri gjithashtu informoi se Wizz Air do të stacionojë një avion të shtatë në aeroportin e Shkupit, ndërsa kompania po shqyrton edhe mundësinë për të hapur bazë në aeroportin e Ohrit.
Sa i përket furnizimit me karburant avionësh (kerosin), Nikolloski siguroi se shteti ka rezerva mbi minimumin ligjor dhe situata është e qëndrueshme, duke shtuar se disa aeroporte rajonale aktualisht furnizohen pikërisht nga Maqedonia.
