Sot është dita me numrin më të lartë të rasteve të reja në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë kryer 311 testime nga të cilat janë konfirmuar 42 raste pozitive. Kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve, informon Ministria e Shëndetësisë.
Në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” 9 pacientë të dyshuar të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana. Aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me Covid-19. Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 20 të prekur nga Covid-19 mes të cilëve 8 personel shëndetësor, duke e çuar në 980 numrin e të shëruarve që nga fillimi epidemisë.
Në Shqipëri janë aktualisht 327 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, ku ka transmetime komunitare.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19 mijë testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1341 raste./21Media
