351 refugjatë ukrainas ndodhen në Shqipëri

TË FUNDIT

Numri i qytetarëve ukrainas të cilët po ikin nga lufta është në rritje, e një pjesë e tyre janë në Shqipëri.

“Nga fillimi i luftës e deri më tani në vendin tonë kanë arritur 351 qytetarë ukrainas. Atyre u është dhënë mbrojtje e përkohshme sipas dispozitave të plota ligjore që ne i kemi për azil”, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi, pas takimit me ambasadorin  ukrainas në Tiranë, Volodimir Shkurov.

Ai shprehu gatishmëri të plotë të Shqipërisë për mbështetjen e shtetasve të Ukrainës të cilët tani më janë këtu, por edhe për ata të cilët do të mund të arrijnë për shkak të luftës.

“Në takim theksova se Shqipëria do t’i koordinojë përpjekjet me vendet tjera të BE-së që të jetë afër popullit të Ukrainës në këto momente të vështira”, theksoi Çuçi.

Ndryshe, me vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Shqipërisë, shtetasit ukrainas kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Shqipëri pa leje qëndrimi, në periudhë prej një viti.