350 mijë euro të fshehura në mur! Nuk dihet se ku është Gjoko Ristov, gjykatësi i dyshuar për korrupsion

TË FUNDIT

Gjetja e 350 mijë eurove të padeklaruara, të fshehura në murin e shtëpisë së prindërve, është një nga provat materiale për dyshimin e përfshirjes së tij në korrupsion të gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov.

Ky rast ndërlidhet me arrestimin e avokatit Fehmi Stafa nga mesi i dhjetorit i kapur me ryshfet 50 mijë euro.

Prokuroria për ndjekjen të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk jep detaje nëse gjykatësi Ristov është lokalizuar apo mbetet në arrati, por thonë se vazhdojnë veprimet e aksionit të nisur muaj më parë.

“Në kuadër të një hetimi të gjerë, i filluar pasi një avokat u dyshua për një vepër penale më 14 dhjetor – Marrja e një shpërblimi për ndikim të paligjshëm, po ndërmerren veprime intensive vazhdimisht, të cilat rezultuan në zgjerimin e procedurës ndaj një gjykatësi nga Gjykata e Apelit në Shkup, i dyshuar për Përvetësim dhe Fshehje të Paligjshme të Pronës për të cilën ka dyshime se është fituar, ndër të tjera, përmes akteve të korrupsionit dhe tregtisë së ndikimit”, tha Prokuroria për ndjekjen të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Autoritet thonë se ky është një nga hetimet më të gjera për dyshime për korrupsion të nivelit të lartë në vendin tonë deri më sot, i mbështetur nga informacione dhe raporte nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Veprimet e koordinuara nga Prokuroria po ndërmerren nga anëtarë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë Financiare e cila jep detaje:

“Bastisja u krye gjatë fundjavës në Negotinë në shtëpinë e prindërve të një personi – gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup, i dyshuar për veprën penale “Përfitim i paligjshëm dhe fshehje e pasurisë.
Gjatë bastisjes, në një hapësirë të posaçme të ndërtuar fshehurazi në murin e ndërtesës, u gjetën dhe u sekuestruan afërsisht 350,000 euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga aktivitete të paligjshme që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me ndikimin”, deklaroi Policia Financiare.

Një javë më parë, Ristov informoi se do të shkonte në pushim mjekësor, pas së cilës nuk u paraqit në punë, dhe telefoni i tij celular nuk është përdorur për më shumë se një muaj. Krejt kjo ndodhi pasi u hap hetimi kundër avokatit Fehmi Stafa, i cili u arrestua pasi u kap me 50.000 euro ryshfet, sipas dyshimeve – për të ndikuar tek një gjykatës në Apelin e Shkupit.