33 vjet Maqedonia e pavarur / Mickoski: Jemi para një beteje të re, njëjtë siç ishte krijimi i atdheut

TË FUNDIT

Jam plotësisht i bindur se njeriu që votoi në referendumin e 8 shtatorit 1991 nuk e ka imagjinuar Maqedoninë që kemi sot 33 vjet më vonë, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin në akademinë solemne me rastin e festës së Pavarësisë që u mbajt nën sloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do ia dalim”. Ai tha se kjo ditë do të na kujtojë rrugëtimin e gjatë drejt lirisë.

Urimi për festën e Pavarësisë erdhi nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila tha se duke rrumbullakosur pjesën e ilindenasve dhe organizatorëve të KAÇKM-së morëm përgjegjësinë për ndërtimin e një shteti juridik modern europian.

Sot vendi ynë po përballet me shumë sfida që kërkojnë pjekuri, unitet dhe vendosmëri edhe më të madhe, tha kryetari i LSDM-së Venko Filipçe në urimin e tij.

Nga koalicioni VLEN me një mesazh, se kjo një ditë është simbol i vendosmërisë dhe përpjekjes sonë për demokraci, megjithatë theksuan se çështja e gjuhës shqipe është ende e hapur.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti thotë se edhe pas kaq vitesh ka tendencë për majorizim dhe mosrespektim të vullnetit të shqiptarëve, që cenon legjitimitetin etnik.

Më 8 shtator 1991, në një referendum qytetarët vendosën për një shtet të pavarur dhe sovran. “T’ua uroj Maqedoninë e pavarur dhe sovrane”, ishte urimi i presidentit të parë të shtetit, Krio Gligorov në sheshin e qytetit menjëherë pas shpalljes së rezultateve të referendumit.