32 vjet pavarësi / Urime për Maqedoninë e lirë dhe të pavarur, tha atëherë Gligorov

TË FUNDIT

Maqedonia feston një nga festat më të mëdha të vendit, 8 shtatorin, ditën kur 32 vjet më parë, pas një referendumi të realizuar me sukses, u shpall Republikë e pavarur e Maqedonisë. Presidenti i parë, Kiro Gligorov, i ka uruar për vendimin e tyre për pavarësi.

“Më lejoni t’ju përgëzoj Maqedoninë e lirë, sovrane dhe të pavarur”, pati thënë Gligorov.

Qeveria organizoi dje akademi solemne për nder të kësaj dite. Në fjalën e tij, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se 32 vjet më parë u plotësua amaneti për Maqedoninë e pavarur dhe tani na pret një hap i ri përpara.

“32 vjet më vonë, para nesh është zëri i qytetarëve me përcaktimin prej 80% për jetë në Europë, në Bashkimin Europian, por në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne, brezat e sotëm, e kemi obligim t’i përgjigjemi thirrjes së 8 shtatorit të sotëm, ditë që kërkon prej nesh vazhdimësinë e idesë shekullore të progresit dhe përparimit”, u shpreh Kovaçevski.

Mirëpo, Kovaçevski nuk la pa përmendur faktin se opozitarja VMRO-DPMNE refuzon t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, gjë që është kusht për vazhdimin e rrugës europiane.

“Sot Europa dhe bota flasin për shtetin maqedonas, popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Sot, atdheu ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, është një vend i njohur ndërkombëtarisht, kufijtë e të cilit janë të vizatuar në hartën botërore. Dhe ky është dhe duhet të jetë motori ynë. Sot frenat janë vetëm në dorën tonë dhe në duart e pjesë të politikanëve këtu në vendin tonë”, tha Kovaçevski.

Dita e Pavarësisë sivjet festohet me moton “Lajmëtari i Lirisë”, dhe shënohet me disa manifestime. Në mëngjes, delegacioni shtetëror i kryesuar nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski vendosi lule te varret e ish-presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski.