303 kandidatë për kryetar komune do të garojnë në zgjedhjet komunale, ndërsa 567 do të luftojnë për të zënë vend në këshillat komunal. KSHZ ka refuzuar dy kandidatë për kryetar komune një në Ohër dhe një në Stugë, shkaqet kanë qenë se nuk i kanë plotësuar kushtet që i kërkon Kodi zgjedhor.
“Sipas të dhënave që i morëm nga Komisionet zgjedhore Komunale, gjithsej 303 lista për kandidatë të kryetarëve janë të verifikuara, ndërsa 567 lista për kandidat për këshilltar komune. Ka dy lista të refuzuara për kryetar komune një në Ohër dhe një në Strugë, 6 lista kandidat për këshilltar komunal, një në Vrapçshtë, Gjorçe Petrov, Zelenikovë, Kërçovë, Stugë dhe Tetovë. Listat e refuzuara janë për shkak se nuk kanë plotësuar disa formalitete dhe kushte të cilat janë të parapara në kodin zgjedhor ose kanë qenë të dorëzuara deri të KKZ pas skadimit të afatit”, tha Ljupka Guguçevska, zëdhënëse e KShZ-së.
Në qoftë se ndonjëri prej kandidatëve vendos të tërhiqet ka afat 48 orë. Ndryshe më së voni deri më 23 shtator KSHZ do bëjë shortin për vërtetim të listës së vetme të kandidatëve se me cilin numër do të garojnë partitë politike dhe kandidatët e pavarur.
“Ajo që për momentin në KSHZ po përgatitemi është shorti i cili sipas afatit të parashikuar me Kodin zgjedhor duhet të mbahet më së voni deri më 23 shtator, të bëhet radhitja e kandidatëve në fletëvotim, pastaj do të publikohet lista e vetme e kandidatëve”, shtoi Guguçevska.
Ndryshe, kanë mbetur edhe shtatë ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. Me ndryshimet e Kodit zgjedhor, parashikohet të mund të votojnë edhe personat të cilëve u ka skaduar afati i vlerës së letërnjoftimit, nga data 6 gusht deri më 30 tetor.
