250 milionë euro për komunat – Mickoski: Para do ta marrin vetëm ata që aplikojnë me projekte

TË FUNDIT

Në thirrjen publike ku komunat duhet të propozojnë projekte për investime kapitale që të marrin mjete nga 250 milionët euro të ndara, mandatari Hristijan Mickoski pret që të marrë ide konkrete dhe plane për zhvillim të komunave. Por çfarë do të jetë me komunat që nuk do të dorëzojnë projekte? Mandatari Hristijan Mickoski tha se ato komuna nuk do të marrin mjete financiare për shkak se, siç theksoi, nuk mendon që të financojë zbrazëtirat e faturave komunale.

“Jo. Nuk do të paguhen. Unë flas për menaxhimin e projekteve, projekte që do t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Personalisht do të përpiqem që ta monitoroj realizimin e këtij projekti, riorientimin e mjeteve në adresë të komunave, kështu që para për likuiditet nuk do të transferohen por do të transferohen në një xhirollogari  speciale –para për projekte, bëhet fjalë për financimin e projekteve ndërsa projektet do të jenë të dedikuara për nevojat e qytetarëve”, tha Mickoski.

Çdo komunë do të marrë shumë të ndryshme parash sepse plani është që çdo njësi lokale që do të propozojë projekte të marrë nga 135 euro për kokë banori. Kështu për shembull:

Komuna e Aerodromit me 72.009 banorë do të marrë 9.721.215 euro

Komuna e Çairit me 64.773 banorë do të marrë 8.744.355 euro ose

Komuna e Kumanovës me 105.484 banorë do të marrë 14.240.340 euro

Disa nga kryetarët e komunave  tashmë janë duke u përgatitur për të dalë me projekte në shtator.

“Tashmë kam pasur disa takime dhe në periudhën në vijim do të kem takime shtesë me kryetarët e komunave në mbarë Maqedoninë, ku apeloj që të përgatitet i gjithë dokumentacioni nga ana e tyre. Përafërsisht  dihet se cila komunë do të merrte sa mjete në raport me numrin e banorëve, besoj se kolegët kryetarë praktikisht në çdo pjesë të Maqedonisë do të jenë të gatshëm dhe do t’i përgjigjen thirrjes për të realizuar sa më shumë projekte të mundshme në të gjithë vendin”, deklaroi Orce Georgievski, kryetar i komunës së Kisela Vodës.

 “Si komuna e Gazi Babës ne e kemi përgatitur dokumentacionin e projekteve, do të aplikojmë për mbi 6 projekte që janë me karakter kapital për qytetarët. Kjo nënkupton ndërtimin e çerdheve, kanalizime fekale, rrugëve të reja, stacioneve filtruese etj”, tha Boban Stefkovski, kryetar i Gazi Babës.

Përndryshe këto 250 milionë euro të dedikuara për komunat janë pjesë e 1 miliardë eurove që qeveria e ardhshme paralajmëron se do t’i huazojë nga Hungaria me, siç pohon, kushte shumë të volitshme.