Para orës 8 të mëngjesit në Aeroportin e Shkupit ateroi aeroplani me vaksinat Astra Zeneka.
Të gjithë pritnin vaksinat, por në fillim dolën valixhet e pasagjerëve të cilët kishin ardhur nga Istambolli.
Më pas nga aeroplani u shkarkuan edhe gjësende të tjera.
Pas 15 minutave u erdhi koha vaksinave. 24 mijë vaksina ishin të paketuara në pako të veçantë të prodhuara në Korenë e Jugut.
“Vaksinat u futën në furgon të vëçantë ndërsa do të ruhen në frigoriferat në temperaturë prej 2 deri 8 gradë”.
Vaksinat u pritën nga ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe bashkë me një delegacion me anëtarët e trupit diplomatik në RMV, përfaqësues të OBSH-së, UNICEF-it dhe zyra rajonale e KB-së.
“Të gjitha vendet duhet të kenë qasje në vaksinat kundër Covid-19 në mënyrë që t’i japim fund pandemisë. Përhapja e shpejtë e Covid-19 na ka treguar se asnjë komb nuk mund të veprojë i vetëm kur bëhet fjalë për sfidat globale”, theksoi Kejt Bërns – Ambasadore e SHBA-ve.
“Jam shumë e lumtur që po arrijnë vaksinat. Edhe pse këtë e kisha dëshiruar 3 muaj më parë”, u shpreh Anke Hollshtajn – Ambasadore e Gjermanisë.
“Vaksinat shpëtojnë jetë dhe ulin numrin e të hospitalizuarve, evidente është se janë të nevojshme ende vaksina”, potencoi Rejçell Gallovej – Ambasadore e Britanisë së Madhe.
“Ky është vetëm fillimi. Mbi 100 mijë doza janë të parapara me këtë mekanizëm”, tha Siril Bomgartner – Ambasador i Francës.
“Kjo ditë është e gëzueshme pasi që Kovaks po arrin”, deklaroi Nikola Betolini nga delegacioni i BE-së.
“Kjo është një pune e komplikuar dhe nuk është e lehtë të punohet në rregulloren dhe logjistikën, theksoi Xhihan Tavila nga OBSH.
“Dua t’i inkurajoj të gjithë njerëzit të vaksinohen me qëllim që t’i kthejmë të gjithë fëmijët në shkolla”, theksoi Patricija Di Xhovani nga UNICEF.
“Vaksinat nuk janë të mjaftushme. Duhet të vazhdojmë me distancë fizike, me mbajtje të maskave”, shtoi Rosana Duxhak nga KB.
Pas të gjithë fjalimeve të korit diplomatik, ministri tha se ditën e mërkurë fillon vaksinimi i popullatës, gjegjësisht prioritet do të kenë 20 mijë personat që janë paraqitur për vaksinim dhe personat që kanë mbi 75 vjet.
“Dje morëm lajme të mira nga Bashkimi Evropian se në muajin prill duhet të arrijnë edhe vaksina tjera nga Kina dhe vende tjera. Kjo do të thotë të gjithë që janë të lajmëruar si grupe të rrezikuara do të kenë prioritet. Ashtu si arrijnë vaksinat do të thërriten personat për vaksinim. Vendi për vaksinim masiv do të jetë salla sportive Boris Trajkovski”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Deri në fund të prillit përmes sistemit Kovaks ka paralajmërim për 76.000 vaksina të tjera nga i njëjti prodhues për vendin tonë.
Në vendin tonë deri më tani janë vaksinuar 6.940 persona, kryesisht punonjës shëndetësorë. Deri më tani Maqedonia ka siguruar tre mijë vaksina Sputnik V nga Rusia dhe tetë mijë vaksina të kompanisë Pfizer si donacion nga Serbia. Autoritetet serbe së fundmi kanë dhuruar edhe 100 doza të vaksinës Astra Zeneca për vaksinimin e gazetarëve. Ndërsa gjatë ditës së djeshme dhe sot vazhdon vaksinimi në Beograd dhe Nish për qytetarët që kanë caktuar termine dhe të cilët kanë humbur durimin duke pritur ardhjen e vaksinave në vendin tonë.
