Shtetet e Bashkuara po zhvendosin deri në 200 ushtarë, të cilët tashmë janë të stacionuar në Lindjen e Mesme, për t’u vendosur në Izrael me qëllim koordinimin e operacionit, njoftuan përfaqësues amerikanë.
Ushtria amerikane do të krijojë një Qendër për Koordinimin Civil-Ushtarak në Izrael, ku do të përfshihen rreth 200 trupa. Në këtë qendër do të marrin pjesë edhe përfaqësues të disa vendeve arabe dhe myslimane, përfshirë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë, të cilët do të monitorojnë zbatimin e armëpushimit dhe do të raportojnë shkeljet e mundshme.
Sipas raportimeve të BBC-së, përfaqësuesit amerikanë kanë theksuar se asnjë ushtar amerikan nuk do të hyjë në Rripin e Gazës. Grupi punues do të udhëhiqet nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e bazuar në rajon, dhe do të ketë për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, si dhe të koordinojë shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Nëse shkëmbimi i pengjeve dhe të burgosurve përfundon me sukses, synimi është që më pas të krijohet një “Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit”, megjithatë një marrëveshje përfundimtare për këtë ende nuk është arritur ndërmjet palëve.