200 kilogramë marihuanë hynë nga Kosova në RMV, arrestohen 6 persona!(VIDEO)

TË FUNDIT

Në aksion të koordinuar policor dje është ndërprerë kanali ndërkombëtar për transport të drogës nga Kosova në territorin e vendit tonë, me ç’rast janë konfiskuar rreth 200 kilogramë marihuanë në vlerë prej rreth 600 mijë eurove dhe janë privuar nga liria gjashtë persona – shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, informoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.

Aksioni është zbatuar nga nëpunës policorë nga Byroja për siguri publike, dhe atë Sektori për polici kriminalistike – Njësia për tregti të palejueshme me drogë, armë dhe materie të rrezikshme, në koordinim me Sektorin për shkatërrim të krimit të organizuar dhe serioz, Sektori për operacione të posaçme policore dhe SPB Shkup – Njësia për tregti të palejueshme me drogë.

Siç kumtoi zëdhënësja e MPB-së, Suzana Pranjiq Talevska, në autostradën “Miqësia” nga ana e nëpunësve policorë, gjatë kontrollit të kryer në automjetin “Opel Zafira”, me targa të Shkupit, drejtuar nga I.P. (51) nga Shkupi, janë gjetur valixhe udhëtimi në të cilat ka pasur 55 paketime marihuanë. Njëkohësisht, gjatë kontrollit të automjetit “BMV Turan”, me targa të Shkupit, drejtuar nga B.R. (30) nga Shkupi janë gjetur qese të zeza me gjithsej 116 paketime marihuanë.

Në afërsi të pompës së benzinës janë ndalur dy automjete të udhëtarëve, dhe atë “Mercedes”, me targa të Strumicës, drejtuar nga O.A. (36) nga Shkupi, ku si bashkëudhëtar ishte shtetasi kosovar XH.L. , si dhe automjeti i udhëtimit “Mini Kuper”, me targa të Shkupit, drejtuar nga E.A. (33) nga Shkupi, si si bashkëudhëtar ka qenë B.R. (24) nga Shkupi, të cilët ishin angazhuar ta sigurojnë transportin e drogës, informojnë nga MPB.

Në konsultim me Prokurorin publik, pas urdhrit të marrë nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën themelore penale Shkup është kryer bastisje në shtëpinë e B.R., me ç’rast janë gjetur çantë me 29 paketime marihuanë, qese me marihuanë, vagë  digjitale dhe 11 plumba, përderisa gjatë bastisjes së kryer në shtëpinë e E.A. janë gjetur një pistoletë sinjalizuese e llojit “Ekol” 9mm me karikator të zbrazët, si dhe një pistoletë “Cërvena Zastava” 9mm me një karikator me 10 plumba në të, përderisa në oborrin e shtëpisë është gjetur automjeti i udhëtimit “BMV” i sjellur nga Kosova pa dokumentacion adekuat, me ç’rast nga ana e Drejtorisë së doganave është marrë për kontroll të mëtutjeshëm.

Në Prokurorinë publike kompetente, siç informojnë nga MPB, kundër personave do të parashtrohet padi penale sipas nenit 215 dhe nenit 396 të Kodit penal.