Artan Grubi, shef i kabinetit të Ali Ahmetit thotë se 20 vjet i është bërë hile degës së BDI-së së Çairit. Siç tha ai janë 2-3 persona të cilët nuk i kanë dhënë hapësirë profesionistëve.
“Për 20 vite Ali Ahmeti dhe BDI kanë ndërtuar aso kapacitete që po prijnë jo vetëm nëpër komuna, jo vetëm nëpër ministri por edhe në Qeverie dhe në kuvend edhe në rajon. Dhe kjo z.kryetar është haku të cilin i kemi hyrë të gjithë këtyre këtu, dhe jo vetëm këtyre këtu por më së shumti këtyre këtu, se 22 vjet ju kemi bë hile. Nuk ju kemi dhënë hapësirë, gjithë kësaj pishine intelektualësh që po shohim para nesh që të dalin në sipërfaqe, sepse të gjithë këta kanë punuar për 2 persona, për 3 persona. Dhe gjithë kanë qenë në hije”, tha Artan Grubi, shef i kabinetit të Ali Ahmetit.
Por kush janë ata 2-3 personat të cilët 20 vjet i kanë bërë hile sipas Grubit?
“Unë nuk e di për cilët njerëz e ka pasur fjalën or megjithatë atë të cilën mund ta them është se në të kaluarën kemi pasur degë dhe dega nuk ka dalë prej kornizave të degës. Tani ne kemi një degë e cila funksionon dhe punon në dimension tjetër. Përveç 21 anëtarëve të të degës kemi edhe 134 profesionistë të lëmive të ndryshme të cilët do t’i ndihmojnë degës”, pohoi Bekim Neziri, kryetar i Degës së BDI-së në Çair.
Ndryshe, në degën e Çairit që nga themelimi i partisë kanë kryesuar Beqir Asani, Izet Mexhiti dhe Bekim Neziri.
