“20%-shi”, Besa akuzon për tradhti BDI-në dhe ASH-në! Osmani: T’mos i japim alibi VMRO-së për ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Lëvizja Besa i akuzon për tradhti dy partitë shqiptare në pushtet, BDI-në dhe ASH-në, se ato po mbrojnë interesin e maqedonasve dhe po harrojnë heqjen e termit 20% që i referohet gjuhës shqipe në kushtetutë. 

“Për BDI kush e kërkon gjuhën shqipe në Kushtetutë është pro Rusisë, e për Aleancën për Shqiptarët heqja e 20% pengon anëtarësimin e vendit në BE. Të dalësh dhe para gjuhës shqipe të mbrosh interesat e një kombi tjetër dhe atyre që janë faktori kryesor për bllokimin e vendit drejt anëtarësimit në BE është tradhëti e gjuhës dhe vlerave tua kombëtare”, thonë nga Lëvizja Besa.

Në Summer Click të TV21, nënkryetari i BDI-së Buajr Osmani tha se BDI është PRO heqjes së 20%-shit nga kushtetuta, por shtoi se nuk duan që t’i japin alibi VMRO-DPMNE-së që të thonë se ja shqiptarët po kushtëzojnë ndryshimet kushtetuese.

 “Shqiptarët gjithmonë kanë qenë fajtorët kujdestar, këta janë arsyeja, dhe ata mezi presin ne të jemi ata të cilët do vendojnë kusht 20%-shin për të penguar procesin e integrimit në BE dhe të thonë ja, këta e kanë penguar. Tash nuk duhet ne të jemi alibi. Duke parë këtë klimë që edhe partitë maqedonase tani duan (ta heqin 20%), shansi i parë që do vjen ne do e rregullojmë, për shkak se nuk ka më pengesë”, tha Buajr Osmani, nënkryetar i BDI-së.

Për këtë çështje së fundmi u deklarua edhe lideri i ASH-së Arben Taravari përmes nëj statusi në facebook.

“Këtë periudhë qarkullon nëpër rrjetet sociale një hamendësim se Aleanca për Shqiptarët është tërhequr disi nga kauza e saj për heqjen e 20%-it. Dua të deklaroj për të evituar çfarëdo lloj keqkuptimi apo supozimi se partia jonë e ka pasur prioritet dhe qëllim këtë ndryshim prej vitit 2018, dhe është krejt absurde të mendohet se kemi ndryshuar mendje!”, u shpreh Arben Taravari – kryetar i ASH-së.

Ndryshe kushtetuta e RMV-së pritet të hapet në mënyrë që bullgarët të futën në të dhe të pëfshihen si komb, ndërsa heqja e 20% si zëvëndësim i fjalës gjuha shqipe mbetet dilemë për shkak se nuk ka gjetur përkrahjen e VMRO-DPMNE-së. Në disa raste kur është pyetur kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski për këtë cështje, ai është përgigjur duke thë se nëse hieqt 20%-shi, duhet të hiqe balanseri dhe badenteri.