20 raste të reja pozitive me Covid 19, mes tyre 4 personel shëndetësor janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri.
Pjesën e “luanit” vazhdon ta mbajë Tirana me 15 raste, 2 në Krujë, 2 në Durrës dhe 1 në Kamëz.
“Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik”, tha Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Në spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar.
Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes.
Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste./oranews
