2 vjet një maqedonas, 2 vjet një shqiptar! Mendime rreth idesë për “Kryeministër shqiptar”

TË FUNDIT

Ka ardhur koha që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të kërkojnë edhe postin e kryeministrit, pohoi mbrëmë në ClikPlus historiani dhe analisti Arben Llalla duke komentuar idenë e Bashkimit Demokratik për Integrim, që një shqiptar të prijë me ekzekutivin. Kjo sipas Llallës mund të arrihet edhe në këto zgjedhje.

“Nëse partia shqiptare, njëra parti shqiptare merr 12-15 deputetë, qoftë edhe Aleanca, qoftë dhe PDSH-ja, qoftë edhe Besa, mundet ta kushtëzojë VMRO-në dhe LSDM-në, doni qeveri ju, po, ky është kushti, 2 vite ju Kryeministrin, 2 vite ne. A është shtet i përbashkët Maqedonia?!” Tha Arben Llalla, analist.

Aktivisti Arianit Xhaferi tha se është koha për kryeministër shqiptar, por jo të propozuar nga Ali Ahmeti, duke radhitur kështu një numër të çështjeve që do të duhej të ishin zgjidhur nga udhëheqësit e BDI-së por nuk është bërë asgjë.

“Nëse do mendonim se një kryeministër shqiptar do të zgjidhte hallet e shqiptarëve, unë po bëj pyetjen pse këto ministra shqiptarë nuk i zgjodhën hallet e shqiptarëve në dikasteret që ata udhëheqin, kjo është pyetja që bëj unë!” Tha Arianit Xhaferi, aktivist.

Valon Bela nga Lëvizja “Ndryshe” apeloi që partitë shqiptare të japin shembuj bashkëpunimi edhe për idenë për kryeministër shqiptar, siç kanë bërë deri më tani me proceset më të rëndësishme për shtetin.

“Kur ka ardhur puna te momentet historike, si për shembull ndryshimet kushtetuese, anëtarësimi në NATO, ndryshimet për çështjen e emrit, marrëveshja me Bullgarinë dhe Greqinë, ata e kanë dhënë provimin dhe unë këtu mendoj se partitë duhet të reflektojnë, sepse nuk ka gjithnjë të bëjë me garën politike, që është jashtëzakonisht bajate dhe i lodh qytetarët,” tha Valon Bela, lëvizja ‘Ndryshe’.

Partia shqiptare në pushtet BDI tashmë ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve, përfshirë partitë e tjera shqiptare, për ta arritur kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Partitë shqiptare nuk e kundërshtojnë idenë, por megjithatë e kanë interpretuar si hap për pikë politike para zgjedhjeve të ndërmarrë nga frika e humbjes.