151-vjetori i lindjes së Goce Dellçevit! Para kishës sigurim i shtuar policor, barrikada dhe kontrolle

TË FUNDIT

Kremtimi i ditëlindjes së 151 të revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev në Kishën “Shën Spas”, kaloi nën sigurim të shtuar policor. Që në orët e hershme të mëngjesit, një helikopter vëzhgonte hapësirën përreth, kurse të gjitha qasjet deri te kisha ishin të bllokuara nga forcat policore. Hyrja lejohej te ura afër Kalasë, por edhe këtu mundnin të hynin vetëm delegacionet që kanë paraqitur se do të vendosin kurora dhe lule te varri i Dellçevit, si dhe ekipet e akredituara gazetareske. Por, së pari duhej t’i kalonin kontrollet e sigurisë nga ana e policisë. Gazetarëve nuk u lejua të hyjnë në objektin e kishës, prandaj ata qëndruan jashtë, kurse brenda hynë vetëm kameramanët dhe fotoreporterët. Fillimisht priftërinjtë e Kishës Ortodokse Maqedonase të kryesuar nga kryepeshkopi, hirësia e tij  Stefani, mbajtën shërbim përkujtimor, pas çka delegacionet e larta shtetërore dhe partiake vendosën lule dhe u përkulën te varri i Dellçevit, kurse mesazhet e tyre i përcollën përmes kumtesave.

“Idealet e vizionarit të madh Goce Dellçev, i cili më shumë se një shekull më parë e kuptoi botën si fushë për përparim kulturor midis kombeve, janë një amanet i kuptueshëm dhe udhërrëfyes për politikat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, bazuar në dialog dhe respekt, si përfitime të larta kulturore dhe civilizuese”, tha  Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Krenaria, ngazëllimi dhe dridhja më godasin në venat si pasardhës i tij, si bir i Maqedonisë, si nxënës që ka ende shumë gjëra për të thithur nga Mësuesi. Gara kulturore e Goces në fakt është një paralajmërues vizionar për një Europe të bashkuar, gjysmë shekull para se të paraqitet si ide në tokën  europiane”, pohoi  Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Pasi delegacionet shtetërore përfunduan me nderimet e tyre, një nga një grup ishin lëshuar që të vendosin lule në varrin e heroit maqedonas, Dellçev. Në mesin e tyre ishte edhe profesoresha, Frosina Remenski, ish- nënkryetare e LSDM-së.

“Goce Dellçev është vlerë qytetëruese, kjo është më shumë se Maqedonia. Dhe fakti që eshtrat e tij prehen në kryeqytetin e Maqedonisë së lirë dhe të pavarur, tregon se revolucionarin tonë mund ta nderojnë të gjithë. Pikërisht Goce Dellçevi nuk duhet dhe nuk guxon të jetë gur pengese për popujt e Ballkanit, por përkundrazi, ai është urë dhe shtyllë rreth së cilës mund të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të kultivohen vlerat e së kaluarës”, tha Frosina Remenski, profesoreshë.

Gjatë ditës së sotme, qytetarët që me këmbëngulje prisnin radhë te barrikada e parë policore te Kalaja për ta nderuar revolucionarin maqedonas Dellçev, ishin lëshuar të kalojnë në grupe më të vogla.