Biznesmenët nga zona më e madhe ekonomike në vend, “Vizbeg”, kërkuan shtresë të re asfalti në rrugën kryesore ku operojnë mbi 100 kompani që punësojnë rreth 8 mijë persona dhe realizojnë qarkullim vjetor prej rreth 600 milionë eurosh dhe fitim prej 40 milionësh – që përbën rreth 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kjo kërkesë iu përcoll sot delegacionit të LSDM-së, të udhëhequr nga Venko Filipçe, gjatë takimit me drejtuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
“E kemi kërkuar këtë për më shumë se 10–15 vjet dhe ende përballemi me probleme infrastrukturore që zonat e tjera, si Bunarxhiku apo të tjera, nuk i kanë. Aty shteti investon, qoftë plotësisht apo pjesërisht, ndërsa tek ne nuk ndihmon fare”, tha Nuhi Aliu, ushtrues detyre i kryetarit të OEMV-së.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thanë se u kanë dërguar kërkesa për takim të gjitha partive politike, duke kërkuar që të marrin pjesë edhe liderët për të pasur më shumë garanci se premtimet do të realizohen. Nga LSDM premtuan se kërkesa për Vizbegun do të përfshihet në programin e kandidates së tyre, Kaja Shukova.
Oda kërkoi gjithashtu që zona ekonomike Vizbeg të ketë të njëjtat të drejta dhe lehtësime si zonat shtetërore ekonomike.
“Ne nuk kemi asnjë përfitim kur investojmë në atë zonë, ndryshe nga zonat e tjera që për pesë vjet janë të liruara nga kontributet dhe taksat, e infrastruktura u sigurohet me para shtetërore. Tek ne gjithçka që shihni është ndërtuar nga vetë kompanitë private që veprojnë në atë zonë”, shtoi Nuhi Aliu, ushtrues detyre i kryetarit të OEMV-së.
Aliu kërkoi gjithashtu zgjidhje për problemin me deponitë ilegale përreth zonës ekonomike Vizbeg, të cilat sipas tij paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve dhe banorëve të rajonit.