13 të arrestuar në Greqi për mashtrime me subvencionet bujqësore të BE-së, dyshohet se kanë përfituar mbi 2,5 milionë euro

TË FUNDIT

Policia greke po zhvillon një aksion në rajonet e qyteteve Kozani dhe Agrinio për mashtrime që lidhen me subvencionet bujqësore evropiane. Gjatë operacionit raportohet se janë arrestuar 13 persona, të cilët dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 2,5 milionë euro.

Aksioni po realizohet nga Departamenti për Luftën kundër Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, me qëllim çmontimin e një organizate kriminale të përfshirë në mashtrime në dëm të interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe në dhënien e deklaratave të rreme.

Mes të arrestuarve janë edhe një drejtues dhe një punonjës i një Qendre për Pranimin e Aplikimeve, ndërsa hetimi përfshin gjithsej 39 persona.

Policia greke njoftoi se përfitimi i paligjshëm financiar vlerësohet të kalojë 2,5 milionë euro, ndërsa janë konstatuar edhe shkelje tatimore.

Javën e kaluar, në kuadër të të njëjtit skandal me subvencionet bujqësore evropiane, në dy operacione të ndara në Selanik, Kilkis, Serres, Athinë dhe në pjesë të ishullit të Kretës, u arrestuan 39 persona për përfitime të paligjshme që tejkalojnë 7 milionë euro.