“100 denarë për dëftesat me kompjuter!” Nxënësit paguajnë dëftesat edhe pse ato janë falas

TË FUNDIT

Unë nuk guxoj t’iu kërkoj pare për dëftesa, mirëpo nëse i doni në kompjuter, duhet t’i paguani nga 50 denarë.

Kështu u shkruajnë disa arsimtarë nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut. U kërkojnë para për mbushjen e dëftesave edhe pse ato janë falas dhe paguhen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Mesazh i Arsimtarit: “Dëgjoni, unë nuk guxoj t’ju lypi para për dëftesat, mirëpo nëse doni me kompjuter, si herave të tjera, atëherë duhet t’i paguani nga 50 denarë, se tjetër kush i kërkon”

E nxënësit i përgjigjen: “Po profesor do t’i paguajmë”.

Ata dakordohen që të premten t’ia dërgojnë të hollat bashkë me librat që i kthejnë në fund të vitit shkollor.

Edhe pse një dukuri që është në kundërshtim me Ligjin për arsim fillor, pagimi i dëftesat duket se është sekret publik. Diskutohet edhe në grupin më të madh të mësimdhënësve në Fejsbuk. Aty madje thuhet se dëftesat shkojnë deri në 100 denarë.

“Dëftesat nxënësve u jepen falas. Edhe nëse dëftesat plotësohen me TIK, koston e paguajnë kujdestarët e klasave dhe jo nxënësit. Të gjithë ata kujdestar klase që nxënësve u marrin nga 50 ose 100 denarë duhet të denoncohen me emër dhe mbiemër,” tha një Profesor.

Me këtë problematikë e njoftuam Bironë për arsim dhe shkencës. Drejtori Zekirja Hasipi në një prononcim për TV21 thotë se dëftesat janë falas dhe ashtu duhet t’u jepen nxënësve. Sa i takon dyshimeve, thonë se ata nuk janë përgjegjës për të parandaluar këtë.

“Dëftesat janë falas dhe ashtu duhet t’u jepen nxënësve. Biroja ashtu ua shpërndan shkollave dhe askush nuk mund t’u kërkon nxënësve të holla për atë. Por edhe pse thoni se ka dyshime për shitjen e tyre, ne si Biro nuk kemi kompetencë për të parandaluar ose hetuar rastin. Për këtë kompetentë janë institucionet tjera,” tha Zekirja Hasip, drejtor i Birosë së Arsimit.

Hasipi kujton se edhe nëse dëftesat janë me kompjuter, sërish arsimtari nuk ka të drejtë t’u kërkojë para. Nxënësi në asnjë formë nuk duhet të paguajë për dëftesat.

Për rastin e kontaktuan edhe Inspektoratin e Arsimit. I pyetëm se a janë në dijeni për këtë fenomen që po ndodh në shkolla dhe çfarë kanë ndërmarrë për të gjobiturit shkelësit. Nga atje me përgjigje:

“Çdo nxënës ose grup i nxënësve të cilët japin dyshime se nga ata janë kërkuar taksa për dëftesa, fillimisht u rekomandojmë që në formë të shkruar te organet e shkollave nga të cilët kërkohet sqarim të shkruar për çfarë saktë u është kërkuar taksë. Nëse janë të pakënaqur me përgjigjen, i udhëzojmë që të drejtohen te ne me të gjitha informacionet relevante dhe ne si institucion kompetent, për çdo rast veçmas do të realizojmë kontroll inspektues,” u tha nga Inspektorati i Arsimit.

Dëftesat nuk po paguhen vetëm në shkolla fillore, por edhe në ato të mesme. Për këtë kanë reaguar edhe Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, të cilët kanë etiketuar edhe shkollat se ku po shiten dëftesat.