10 të rinj do të mësojnë për pilotë, AAC do të paguajë gjysmën e shumës për trajnimin

TË FUNDIT

Dhjetë të rinj do të ndjekin trajnim për t’u bërë pilotë. Agjencia për Aviacion Civil do të paguajë gjysmën e shumës së nevojshme për trajnimin e tyre, përkatësisht 4.200 nga 8.400 eurot e nevojshme. Dhjetë kandidatët e përzgjedhur morën vendimet për përfshirje pasi u zgjodhën përmes shpalljes së Agjencisë.

Të rinjtë janë të lumtur që ëndrra e tyre e jetës po bëhet realitet. Marko tashmë punon në kontrollin e fluturimeve, ndërsa Aleksandri, që është inxhinier elektrik, ka vendosur të bëhet pilot.

 “Pilotët tanë në aeroplanët Air Tractor – duhet ta pranoj se i adhuroj. Çdo ditë flas me ta dhe jam shumë krenar për atë që bëjnë. I respektoj shumë. Dhe shpresoj që shumë shpejt edhe unë të mund t’i ndihmoj. Sepse vërtet ka ditë kur fluturojnë deri në 12 orë për të shuar zjarre, dhe mendoj se ata janë pilotët më të guximshëm – nuk mund ta imagjinoj më të rrezikshme se të hysh me avion në një pyll me flakë ku nuk sheh asgjë”, tha Marko Koleçeski, kandidat për pilot.

 “Jam me profesion inxhinier elektrik dhe që i vogël kam pasur dëshirë të bëhem pilot. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të nisur ëndrrën time. (…) Të ardhmen time e shoh si kapiten i një avioni komercial dhe shpresoj se do të mund të arrihet diçka që edhe vendi ynë të zhvillohet më shumë në këtë industri”, shtoi Aleksandar Çavleski, kandidat për pilot.

Autoritetet besojnë se kjo do të ndihmojë në zbutjen e mungesës kronike të pilotëve në vend, e cila ndihet sidomos gjatë verës kur ka shumë zjarre.

 “Në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim kemi tre aeroplanë. Gjatë shuarjes së zjarreve, kërkohen minimum dy pilotë për një avion në mënyrë që të ketë zëvendësim të përshtatshëm, por aktualisht kemi vetëm një pilot të punësuar rregullisht dhe dy pensionistë të kthyer me kontratë. Pra, për momentin na mungojnë tre pilotë atje, por mungojnë edhe në Agjencinë për Aviacion Civil, ndoshta edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.”, pohoi Dragi Stojanoski, drejtor i Agjencisë për Aviacion Civil.

 “Procesi është i hapur dhe transparent, këtë e theksuan të gjithë. Shpresoj që në thirrjen e ardhshme do të ketë interes edhe më të madh dhe më shumë kandidatë të regjistruar, dhe që ata do të mund të angazhohen jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat”, u shpreh Aleksandar Nikolloski, zv/kryeministër dhe ministër i Transportit.

Agjencia për Aviacion Civil do të shpallë edhe një thirrje të re për të përzgjedhur edhe 9 kandidatë të tjerë. Paralajmërohet se vitin e ardhshëm mund të ndahen më shumë fonde dhe të financohen trajnime më të avancuara.