Destrojeri Delbert D Black është luftanija e fuqishme amerikane e radhës që i bashkohet flotës që është vënë në gatishmëri në Lindjen e Mesme, për një sulm të mundshëm ndaj Iranit nga momenti në moment.
Lajmi konfirmohet nga media britanike BBC, që shkruan se gjatë orëve të fundit, anija raketahedhëse është parë të kalojë përmes kanalit të Suezit drejt Gjirit Persik, duke e çuar në 10 numrin e mjeteve të mëdha lundruese luftarake në zonë përfshirë edhe aeroplanmbajtësen Abraham Linkoln.
Shifra tregon se tensionet janë tepër të larta, duke shtuar së tepërmi mundësinë e një sulmi ushtarak amerikan ndaj republikës islamike.
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Trump ka biseduar me zyrtarë nga Izraeli dhe Arabia Saudite me të cilët ka diskutuar për variantet e sulmeve ushtarake ndaj Iranit.
Qëllimi është të krijohen kushte për mbajtjen gjallë të protestave dhe rrëzimin e regjimit të Ajatollahëve. Megjithatë, zyrtarët izraelitë dhe sauditë, sipas Reuters ishin të mendimit se sulmet ajrore nuk mjaftojnë për këtë objektiv.
Nga ana tjetër, Teherani njoftoi vendosjen në gatishmëri të 1 mijë dronëve për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve amerikane. Zyrtarët iranianë paralajmëruan për kundërpërgjigje “dërrmuese”.
Kremlini i bëri thirrje Uashingtonit të gjejë zgjidhje diplomatike. Megjithatë, zyrtarët rusë u bënë thirrje punonjësve nga ky vend në centralet bërthamore iraniane, të largohen në vende të sigurta.
