Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharaj paralajmëroi se 1 shtatori mund t’i gjejë në shtëpi nxënësit. Ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se greva do të vazhdojë nëse nuk ndërmerret diçka nga ana e Qeverisë.
“1 shtatori nëse vazhdohet kështu me teka të qeverisë fatkeqësisht nxënësit do t’i gjejë në shtëpi, mësimdhënësit në grevë, deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Jasharaj.
Jasharaj iu kundërpërgjigj ministrit të Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati i cili tha se grevistët nuk paguhen nga shteti, por do të duhej të paguheshin nga sindikata.
Jasharaj tha se askush nuk ka të drejt asnjë cent t’ua ndalë grevistëve.
“Po të donte qeveria ta shpreh së paku për një minutë dhembjen për orët e humbura, dhembjen pse një pjesë e qytetarëve nuk po arrijnë të kryejnë punët e tyre nëpër administratë, po ta kishin dhembjen se nxënësit do të humbin orë, atëherë në vend të kërcënimeve, Murati, Kurti e të tjerët do të uleshin me përfaqësuesit legjitim të sindikatave dhe do të gjenin mundësi sepse ka për t’i zgjedhur kërkesat tona”, tha Jasharaj.
Punëtorët e sektorit publik në Kosovë, përfshirë mësimdhënësit janë në grevë që nga 25 gushti, ata ndër tjerash po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Pagat./21Media
