1 miliard € për 10% të aksioneve, revolucion financiar te Real Madridi

TË FUNDIT

Real Madridi po shqyrton një lëvizje historike në modelin e tij të pronësisë, pasi dy emra të mëdhenj të kapitalit – Sixth Street dhe Bernard Arnault – janë të gatshëm të blejnë rreth 10% të aksioneve të klubit për afërsisht 1 miliard euro.

Sipas “Vazpopuli”, të dy grupet po monitorojnë me kujdes reagimin, në një moment kur Florentino Perez po përshpejton planin për të hapur klubin ndaj investimeve të jashtme për herë të parë. Vlerësimi aktual i Real Madridit raportohet se ka tejkaluar shifrën e 10 miliardë eurove.

Një mbledhje e jashtëzakonshme e anëtarëve pritet të mbahet në mesin e dhjetorit, ku do të diskutohet modeli i ri i pronësisë. Projekti synon të ndjekë shembujt gjermanë: futjen e një aksioneri minor me të drejta ekonomike, por pa asnjë pushtet qeverisës. Strategjia ka për qëllim uljen e rezistencës së socios-ve përpara një referendumi të planifikuar në vitin 2026.

Sixth Street tashmë bashkëpunon me Real Madridin për operacionet komerciale të “Santiago Bernabeut”, ndërsa LVMH e Bernard Arnault u bë së fundmi furnizues zyrtar i klubit. Për të dy investitorët, blerja e një pakete të vogël aksionesh shihet si një mënyrë me rrezik të ulët për të forcuar lidhjet me një prej institucioneve më të fuqishme të futbollit botëror.

Raportohet se, nëse projekti miratohet, Real Madridi do të hyjë në një epokë të re financiare, duke ruajtur kontrollin sportiv dhe institucional, por duke siguruar burime për rritje dhe modernizim.