​Rona zbulon thesaret e shqiptarëve (Video)

TË FUNDIT

Në Kurriz në lagjen “Dardania” në Prishtinë, sot ishte një atmosferë tjetër. Aty publiku u befasua kur në njërin prej këndeve të kësaj platoje u shfaq një zë.

Nga ky zë dilnin tekste që për shqiptarët janë dëgjuar edhe më parë. Ato shoqëroheshin me tingujt e muzikës së Kiril Tufekçievskit, Shpetim Bacës, Nesim Maxhunit dhe Edon Ramadanit.

Që të katër këta personazhe që udhëhiqen nga zëri i këngëtares Rona Nishliu, e cila është edhe në krye të këtij projekti, kanë nisur të zbulojnë rrënjët e muzikës shqiptare dhe po eksperimentojnë me to.

Këngë arbëreshe, arvanitase, “Moj e majr e hollë e gjatë” e Tetovës, këngë të Kosovës, Shqipërisë së mesme, të jugut e të veriut do të mblidhen bashkë në albumin e parë që do të publikojë Rona Nishliu.

Këto këngë paraqesin periudha të ndryshme të shqiptarëve në viset e ndryshme gjeografike.

E, kush më mirë si Rona Nishliu do t’i kishte transformuar dhe do t’i risjellte në kombinimin me muzikën free jazz dhe elemente të trip – hop e soul.

Koncerti i sotëm mbi platonë e Kurrizit në lagjen Dardania, ishte vetëm një paralajmërim për albumin e saj të parë “Me motivet tona”.

Ky album është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri.

E, pas disa këngëve që përformoi ajo tregoi për media disa detaje rreth projektit.

Por, ky album nuk është i vetëm në mesin edhe të aktiviteteve tjera që janë paraparë në kalendarin e përbashkët kulturorë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbështetje për koncertin e sotëm kishte dhënë edhe Komuna e Prishtinës. Këtë e konfirmoi drejtoresha e Kulturës Saranda Bogujevci, e cila sot ishte e pranishme në koncert.

Bogujevci premtoi mbështetje edhe më tutje për kësi lloj projektesh.

“Me të vërtet më ka lënë përshtypje dhe besoj që ka qenë përkrahje e duhur. Ka nevojë shumë dhe jemi duke punuar në atë drejtim. Në vitin e kaluar veç se kemi filluar me ditët e muzikës ku kemi pasur lokacione të ndryshme jashtë qendrës së qytetit për organizime të eventeve të ndryshme që të jenë më afër qytetarëve. Po, patjetër që ka edhe projekte të tjera. Është kalendari kulturor mes ministrive të kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës dhe komunës, tha Bogujevci.

Rona Nishliu do të shfaqet edhe para publikut të Tiranës më 1 maj të këtij viti.