​Protesta në përkrahje të Ivanoviqit (Video)

TË FUNDIT

Qindra qytetarë, familjarë, përfaqësues të komunave veriore, intelektualë, simpatizantë të SDP-së etj, kanë protestuar të hënën para ndërtesës së EULEX-it në veri të Mitrovicës, kundër vendimit për vazhdimin e paraburgimit të liderit të Iniciativës Qytetare ‘SDP’ Oliver Ivanoviq, si dhe mohimit të mbrojtjes së tij në liri.

Ata kanë bartur flamuj të Serbisë dhe pankarta me mbishkrimet “Gjykata e EULEX-it – kazamat”, “Meucci na thuaj cili është verdikti” etj.

Madje kanë marshuar deri tek objekti i burgut në Veri të Mitrovicës duke brohoritur emrat e të akuzuarve.

Këshilltari komunal i Kuvendit të Mitrovicës Veriore nga radhët e partisë ‘SDP’ të Oliver Ivanoviqit, Igor Simiq, tha se nga gjithsej 47 dëshmitarë të prokurorisë të cilët kanë dëshmuar deri tani, vetëm se është konfirmuar se Oliver Ivanoviq nuk ka kryer veprat për të cilat pretendon prokurori.

Kryetari i Komunës Veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, tha para të pranishmëve se Ivanoviq dhe Delibashiq vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në burg.

Në anën tjetër, kryesuesja e Kuvendit Komunal të komunës së Mitrovicës Veriore, Ksenija Bozhoviq, tha se deri tani qytetarët e veriut i janë përgjigjur në mënyrën më të qetë dhe demokratike të gjitha kërkesave të gjykatës së EULEX-it.

Sipas saj, lideri i tyre i cili është duke qëndruar që 19 muaj në burg, është detyruar të zgjedhë rrugën më të vështirë, përkatësisht të fillojë grevën e urisë.

Ajo shtoi se Ivanoviq që katër ditë që ka filluar grevën ka humbur më shumë se tre kilogramë, duke rrezikuar kështu shëndetin e tij.

“Ne nga ky tubim dërgojmë porosi atyre, me kërkesa për Meuccin, të përmbledhura në një pyetje. Ai e di deri kur do të dëgjohen dëshmitarët, dhe e pyesim ndoshta e di edhe aktgjykimin, le të na tregojë” ka thënë mes tjerash Bozhoviq.

Protesta ka zgjatur rreth gjysmë ore, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

Ndryshe, trupi gjykues i EULEX-it para pak ditësh ka vazhduar paraburgimin ndaj Ivanoviqit edhe për 60 ditë, ndërsa në shenjë pakënaqësie me një vendim të tillë, ky i fundit ka filluar grevë urie brenda hapësirave të burgut.

Ivanoviq është arrestuar më 27 janar 2014 nën akuzat se ka kryer krime lufte ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 – 2000 në veri të Mitrovicës.