Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa me bashkëpunëtorë ka vizituar të premten Mitrovicën, me ç’rast është takuar me kryetarin e Komunës, Agim Bahtiri, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale në këtë komunë.
Ata kanë vizituar po ashtu edhe disa biznese të komunës, si dhe zonën e lirë ekonomike në Frashër të Mitrovicës.
Kryeministri Mustafa, tha se qeveria e Kosovës është e interesuar të krijojë kushte për ardhjen e investitorëve të jashtëm në Zonën e Lirë Ekonomike në Mitrovicë, por edhe gjithandej në Kosovë.
Ai potencoi se komuna e Mitrovicës meriton kujdes më të veçantë në këtë drejtim.
“Unë konsideroj se vizitat e tilla dhe kontaktet më të shpeshta, jo vetëm në nivel të kryeministrit dhe kryetarit të komunës, por edhe të ministrive përkatëse, do të krijojnë kushte që projektet që i kemi filluar dhe ato që duhet t’i bëjmë në këtë pjesë, t’i shohim në kohë sa më parë”, ka thënë Mustafa.
Në lidhje me vizitën e tij njërës nga komunat veriore, kryeministri i Kosovës u shpreh se takohet shpesh me kryetarët e veriut, herë bashkërisht e herë veç e veç me secilin prej tyre, varësisht prej problemeve që kanë, ndërsa nuk precizoi kohën kur do të realizojë një vizitë të tillë.
“Kam shprehur interesimin tim që të vizitoj të gjitha ato komuna, Leposaviqin, Zubin Potokun, Mitrovicën Veriore dhe Zveçanin, dhe do ta bëj një vizitë të tillë sapo të merrem vesh me ta. Nuk e kemi ndonjë agjendë të caktuar, por mendoj se janë relaksuar marrëdhëniet sa vizitat e tilla mund të bëhen” , ka thënë mes tjerash Mustafa. /A. Damati/
Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se zhvillimi ekonomik është çështje themelore për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.
