Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës që nga viti 2009 ndajnë mirënjohje për tatimpaguesit e rregullt. Këtë vit, për pagesa të rregullta gjatë vitit 2014, u shpërblyen 15 kompani.
Ndarja e tyre është bërë në tri kategori, ku në kategorinë e parë kanë qenë bizneset me qarkullim mbi 5 milionë, në kategorinë e dytë bizneset me qarkullim nga 1 deri në 5 milionë, kurse në të tretën bizneset me qarkullim nga 100 mijë deri në 1 milion euro në vit.
Të pranishëm në ndarjen e këtyre mirënjohjeve ishin kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, Arian Zeka nga Oda Ekonomik Amerikane në Kosovë, ministri i Financave Avdullah Hoti, Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Lulzim Rafuna nga Dogana e Kosovës.
Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, tha se, përkundër sfidave më të cilat po ballafaqohen bizneset në Kosovë, ata po arrijnë t’i kryejnë me kohë obligimet që kanë ndaj shtetit.
Arian Zeka nga OEAK u shpreh se duhet të promovohet një disiplinë në raportimin financiar dhe kryerjen e obligimeve ndaj shtetit.
Ministri Hoti përgëzoi bizneset për punën e bërë. Sipas tij, suksesi i bizneseve është sukses edhe i Kosovës.
Ndërsa, Nahit Sharku nga ATK tha se puna e bizneseve, ka bërë që ATK të përmirësohet dhe zhvillohet. Sipas tij, ky partneritet duhet të vazhdojë.
Se performanca e doganës është rritur dhe kjo nuk është vetëm meritë e oficerëve doganorë, e tha edhe kreu i doganës, Lulzim Rafuna. Sipas tij, së bashku po luftohet evazioni fiskal, korrupsioni dhe kontrabanda.
Sipas Rafunës duhet të thellohet edhe më shumë bashkëpunimi dhe komunikimi , në mënyrë që të luftohen sa më shumë dukuritë negative.
Kompanitë e mëdha që u klasifikuan në kategorinë e parë me qarkullim vjetor mbi 5 milionw euro janë: “Prima Tobacco LLC”, “Kos monte Foods SHPK”, “Coca Cola Hellenic Bottling Company- Kosovo LLC”, “Scan Color- JYSK SHPK” dhe “Marketing and Distribution SHPK”. Kompanitë që morën mirënjohje në kategorinë e kompanive me qarkullim vjetor prej 1 – 5 milionw euro ishin “Apollonia SHPK”, “Alma SHPK”, “Studio Moderna SHPK”, “Sportina & Albi LLC” dhe “NTP Arena Engineering”. Ndërsa, në kategorinë e kompanive me qarkullim prej 100.000-1 milion Euro mirënjohjet u ndanë për “Fox Marble Kosova”, “Kid Zone Kosova SHPK”, “Tashko Pustina SHPK-Dega në Kosovë”, “NPSH Arianiti-A” dhe “Ontexi-Mont SHPK”.
