​Lirohet Qeriqi me shokë

TË FUNDIT

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi është liruar nga masa e ndalimit policor.

Bashkë me të janë liruar edhe tetë veteranët tjerë të cilët dje së bashku me Qeriqin janë arrestuar nga policia pas protestës e cila u mbajt para ndërtesës së Qeverisë.

Lajmin për lirimin e tij e konfirmoi vet Qeriqi,sipas të cilit ai dhe tetë bashkëluftëtarë tjerë janë liruar ndërsa njëri nga ta ka mbetur në paraburgim pasi që ka pasur një dënim tjetër.

“Po sapo jemi liruar, nuk kemi dalë as para gjykatës, vetëm na kanë liruar, sigurisht se rasti do të shkojë në procedurë të rregullt”, tha Qeriqi.

Ai tha se ditëve në vazhdim do të ketë protesta tjera por pa dhënë ndonjë datë ose ditë.

Ndryshe dje policia arrestoi dhjetë nga protestuesit të cilët gjatë protestës rrëzuan rrethojën e ndërtesës së Qeverisë si dhe dëmtuan një veturë.

Pas arrestimit prokurori vendosi për të gjithë 48 orë ndalim policor.