Numri i tërësishëm i të rënëve në territorin e Kosovës para Luftës Çlirimtare të Kosovës është 203, ndërsa numri i të plagosurve është 234.
Kështu ka bërë të ditur sot Komisioni i familjeve të dëshmorëve dhe heronjve të Kombit, të rënë para Luftës Çlirimtare të Kosovës, gjatë një konference për medie, ku të pranishëm ishin edhe anëtarët e tjerë të këtij Komisioni si dhe familjarë të dëshmorëve.
Kryetari i Komisionit, Naim Zhitia, tha se këto të dhëna ata i kanë marrë nga nënkomisionet e tyre të formuara nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët i falënderoi për punën e bërë.
“Numri i tërësishëm i të vrarëve në tërë territorin e Kosovës, të vrarët në rrethim, në burg, në atentat, në demonstrata si dhe në armatën jugosllave është 203. Ndërkaq, numri i të plagosurve në tërë territorin e Kosovës është 234. Ky është numri i të vrarëve dhe i të plagosurve, çka do të thotë shifra e përbashkët e të plagosurve dhe të vrarëve është 437 në tërë territorin e Kosovës”, tha Zhitia.
Ata edhe kësaj here thanë se nuk do të ndalen derisa atyre t’u njihet statusi i dëshmorëve të kombit, gjë të cilën e thotë edhe vetë ligji.
Për këtë, ai thotë se kanë pasur takim edhe me Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi, si dhe me kryetarin e Këshilli për Mbrojtje e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, prej të cilëve kanë kërkuar ndihmë që të zbatohet ky ligj.
“Kemi pasur takime edhe me avokatin e popullit, Sami Kurteshin, edhe me kryetarin e KMDLNJ-së, me të cilin po ashtu kemi marrë mbështetje për kërkesat tona. Madje, KMDLNJ edhe publikisht ka kërkuar nga Institucionet e Kosovës që të implementojnë ligjin, gjegjësisht nenin 8, paragrafi 2 i këtij ligji që do të thotë t’u njihet statusi i dëshmorëve të kombit edhe atyre veprimtarëve të rënà « në fushën e nderit, në forma të ndryshme të rezistencës për liri dhe pavarësi të vendit”, tha ai.
Zhitia shtoi se ata kanë bërë disa herë kërkesa për t’u takuar me përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, por, deri më tani në takim janë pritur vetëm nga ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili u ka ofruar përkrahje. Ndërkaq, përfaqësuesit e tjerë institucionalë i kanë injoruar totalisht.
“Ftesë për takim u kemi bërë edhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi, edhe ish-presidentit Fatmir Sejdiu, edhe ish-zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuqit… nuk kanë gjetur kohë dhe kurajo për t’u takuar me ne. Po ashtu ftesë i kemi dërguar edhe presidentes Jahjaga, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryetarit të Komisioni Qeveritar për Verifikim, Agim Lekut dhe në fund edhe nà « adresë të kryeministrit Isa Mustafa kemi dërguar ftesë, mirëpo edhe këta na kanë injoruar fare”, ka shtuar ai.
Komisioni i familjeve të dëshmorëve dhe heronjve të kombit të rënë para Luftës Çlirimtare të Kosovës është formuar në vitin 2009 nga vetë familjarët e këtyre dëshmorëve, pasi që kanë parë se atyre po u bëhet padrejtësi duke mos ua njohur statusi i dëshmorëve.
Që atëherë, ata kanë bërë shumë përpjekje përmes protestave paqësore që t’i përmbushin kërkesat e tyre, por deri më tani nuk është bërë asgjë.
