Në vitin 2014 cilësia e shërbimeve të komunave për qytetarët është rritur vetëm për 5 për qind, në raport me vitin 2013. Megjithatë, performancë me të ulët të ofrimit të shërbimeve nga komunat është evidentuar në fushën e kulturës, rinisë, sportit, parqeve dhe shesheve, ndriçimit publik si dhe deponimit të mbeturinave.
Këto të dhëna janë bërë të ditura në publikimin e raportit vjetor të funksionimit të komunave për vitin 2014.
Udhëheqësi i departamentit për Performancë dhe Transparencë Avni Sahiti, gjatë prezantimit të raportit, tha se komunat kanë shënuar ngritje për 5 për qind në ofrimin e shërbimeve. Megjithatë, sipas tij, kanë evidentuar edhe shkelje, ku me theksuarat janë tek dhënia e pronës në shfrytëzim.
“Llojet e shkeljeve të evidentuara në grafikonin që kemi prezantuar janë të theksuara tek dhënia e pronës në shfrytëzim me 16 raste, miratimin dhe ndryshimin e statuteve të komunës me 8 raste, zgjedhjen e kryesuesve për komunitete me 6 raste… Edhe këtë vit kemi 15 fusha për të cilat është matur cilësia e shërbimeve. Këtu mund të shihni 15 fushat dhe grafikonin. Ajo çka vlen të theksohet është se rritja e cilësisë së shërbimeve për vitin 2014 në krahasim me vitin 2013 është rritur për 5 për qind, mesataren e të gjitha shërbimeve. Për vitin 2014 e kemi 55 për qind, derisa prinë në shërbimet e administratës ku janë 86 për qind”, tha Sahiti.
Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj tha se ka pasur performancë të ulët në disa fusha në cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Gecaj tha se gjatë vitit 2014 bazuar në sistemin e menaxhimit të performancës të zhvilluar në bashkëpunim me komunat është bërë vlerësimi i performancës së shërbimeve të ofruara në fushën e shërbimeve administrative, shërbimet sociale, kulturore, rinore, sportive, emergjencat, planifikimin urban, rrugët dhe trotuaret publike, parkingjet publike, ndriçimin publik, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbeturinave, kanalizimet dhe deponitë.
“Bazuar në raportet monitoruese është vërejtur se në disa fusha ka pasur performancë me të ulët të ofrimit të shërbimeve veçanërisht në fushën e kulturës, rinisë, sportit, parqeve dhe shesheve, ndriçimit publik si dhe deponimit të mbeturinave. Me qëllim të adresimit të këtyre vështirësive, në bashkëpunim me komunat, institucionet tjera dhe komunitetin e donatorëve jemi duke punuar ngushtë në rishikimin e indikatorëve, shtimin e fushave si dhe avancimin e mëtutjeshëm të programit për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve dhe matjen e performancës së tyre”, tha Gecaj.
Raporti i publikuar nga MAPL-ja ka dhënë edhe 24 rekomandime dhe 14 konkluzione, të cilat do t’i shkojnë në tri adresa. Sekretari i përgjithshëm i MAPL-së Besnik Osmani tha se ky është raport i përgjithshëm, i cili për herë të parë raporti përfshin edhe katër komunat veriore të Kosovës.
