Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë gjenerali Philip Breedlove tha sot se situata në Kosovë vazhdon të jetë e qetë dhe e sigurt, për çka KFOR-i ka dhënë një kontribut të madh në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt
Megjithatë, ai nuk dha ndonjë kohë të caktuar se kur mund të largohet KFOR-i nga Kosova, duke thënë se forcat e NATO-së do të jenë në Kosovë derisa të jetë e nevojshme.
Gjenerali amerikan gjatë vizitës në Kosovë tha se është kënaqësi t’i shohë pjesëtarët e KFOR-it dhe t’i falënderojë ata për punën e shkëlqyeshme që bëjnë për ta ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë.
Megjithatë, gjenerali Breedlove, nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do të largohen trupat e NATO-së nga Kosova. Ai tha se për këtë do të vlerësojnë kushtet në teren dhe çfarë përparimi është arritur në diskutimin politik.
Ndërsa, i pyetur për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës dhe kërkesës së serbëve për një batalion të serbëve brenda FAK-ut, gjenerali Breedlove nuk ka dashur të flasë, duke ia lënë komandantit të KFOR-it gjeneralit Guglielmo Luigi Miglieta. Miglieta tha se shndërrimi i FSK-së në FAK është çështje politike.
Gjenerali amerikan Philip Breedlove, nuk është përgjigjur nëse KFOR-i i cili ka qenë përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ka përgjegjësi edhe për vrasjet e pasluftës, të cilat do të jenë objekt hetimi edhe nga Gjykata Speciale.
Ndërsa,valën e madhe të refugjatëve sirianë që ia kanë mësyrë vendeve të Evropës, gjenerali Breedlove tha se është një sfidë përpara vendeve të NATO-së, por edhe atyre që janë partnere të aleancës veri atlantike, ndonëse nuk ka folur në emër të të gjitha vendeve të NATO-së.
Gjenerali amerikan është pyetur edhe për rrezikun e ekstremizmit, për të cilin tha se NATO do të jetë sy hapur nga çfarëdo ndikimi që vjen qoftë nga islami radikal apo jo islami, e që sjell dhunë në këto vende.
Gjenerali Breedlove gjatë vizitës në Kosovë ka vizituar shtabin e përgjithshëm të KFOR-it në kampin Film City, e po ashtu është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe me përfaqësues të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së dhe FMN-së.
