Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami ka pritur sot në takim ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, të cilin e ka shoqëruar edhe drejtori i USAID-it për Kosovë, James Hope.
Sipas komunikatës së MTI-së, Ministrja Bajrami e ka falënderuar ambasadorin Delawie për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Republikës së Kosovës.
“Dy vendet tona kanë marrëdhënie të mrekullueshme dhe ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA ka ofruar në momentet kyçe të Kosovës. Mbi këto marrëdhënie ne duhet të ndërtojmë bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare”, ka thënë ajo, duke falënderuar po ashtu USAID-in për përkrahjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për përmirësimin e shumë fushave dhe sektorëve që janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Bajrami e ka informuar ambasadorin me prioritetet e Ministrisë në përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka një portofol të rëndësishÃ
«m dhe
unë jam e përkushtuar për ta bërë këtë institucion një mbështetës të fortë të bizneseve. Me riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ne kemi institucionalizuar dialogun me bizneset dhe shoqatat e tyre përkatëse. Në mënyrë që ky Këshilli të jetë më funksional ne kemi themeluar katër grupe punuese të përbëra nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante për të adresuar çështje të rëndësishme, ka thënë Bajrami.
Ajo ka përmendur mbështetjen e USAID-it për të zbatuar Kontratën për qendrën turistike në Brezovicë dhe po ashtu mbështetjen kruciale të USAID-it me projektin e Skemës për Garantimin e Kredive me anë të të cilit do të lehtësohet qasja në financa për bizneset duke siguruar garanci kolaterali deri në 50%.
“Ne jemi duke marrë hapa për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë dhe për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme në agjencitë përkatëse si: Metrologj ia, Akrediti dhe Standardizimi”, ka thënë ajo.
Bajrami dhe ambasadori Delawie kanë diskutuar edhe për angazhimin e Ministrisë për projekte tjera të rëndësishme që përkrahen nga USAID-i. Ambasadori Delawie ka thënë se vendi i tij është i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës dhe se përkrahja amerikane për institucionet e Kosovës, do të jetë e vazhdueshme.
