Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media po tregon se Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë katër aktivistë të saj të cilët kanë qenë duke shkruar parulla në qytetin e Ferizajt.
Përveç kësaj Policia, siç njofton Vetëvendosje ka arrestuar edhe aktivistin Kushtrim Dakaj në shtëpinë e tij në Prishtinë.
Përveç kësaj Vetëvendosje thotë se Policia e Kosovës ka kërcënuar me arrestim edhe të aktivistëve të tjerë që morën pjesë dje në aksionin e heqjes së rrethojave shtesë të vendosura nga Qeveria.
Në këtë komunikate Vetëvendosje tregon edhe për një kërcënim tjetër të aktivistëve në qytetin e Gjilanit.
Dritëro Hyseni, Kushtrim Cakolli, Leotrim Cakolli, Labinot Halimi dhe Kushtrim Dakaj, janë emrat që janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Për të gjitha këto, Vetëvendosje thotë se janë masa të dhunshme të Isa Mustafës, të cilat nuk e ka ndërmend t’i ndalë.
“Isa Mustafa nuk e ka ndërmend t’i ndal masat e dhunshme. Të tilla masa janë aplikuar në Kosovë sa herë që pushtetet e ndryshme kanë dashur të qojnë përpara proje kte që janë në kundërshtim me vullnetin dhe interesin e popullit të Kosovës. Qeveria po e tensionon situatën me këto veprime, duke treguar që është në gjendje ta krijojë “Zajednicën” edhe nëse kjo kërkon ushtrim të dhunës dhe represionit mbi popullin e vet”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes./
