​Qytetarët ankohen për vonesat e punimeve mbi ‘kurriz’ të Dardanisë

TË FUNDIT

Tashmë ka dy muaj që punimet mbi pllato në lagjen Dardania kanë filluar. Sipas qytetarëve, e po ashtu edhe bizneseve që veprojnë në atë pjesë, këto punime po shkojnë në mënyrë shumë të ngadaltë.

Bizneset ankohen se me të filluar punimet, puna e tyre ka rënë nga 50 deri në 95 për qind. Kurse, me ato të ardhura, ata mbajnë familje, e që nuk janë aspak të mjaftueshme. Sipas shumicës së tyre, komuna ka zgjedhur kohën e papërshtatshme për të kryer këto punime, sepse sezona e verës është pikërisht koha kur vijnë gurbetqarët dhe të ardhurat e tyre rriten dukshëm.

Driton Haxholli punon frizer. Ai lokalin e tij e ka mbi pllato dhe thotë se këto punime kanë bërë që puna të bie. Kjo për arsye se ka shumë pluhur, zhurmë,kamionë etj.

Edhe Bedri Berisha, i cili punon në njërën nga kafiteritë mbi pllato, thotë se puna ka rënë shumë. Sipas tij, është dashur që këto punime të fillojnë më herët, sepse tash është koha kur vijnë gurbetqarët dhe bizneset kanë më shumë punë.

I të njëjtit mendim se punimet kanë filluar në kohë të papërshtatshme është edhe Raif Hyseni, i cili është pronar i një marketi, që vepron në të njëjtën hapësirë. Ai tha se të gjitha bizneset e presin verën, sepse dimrit ka më pak punë.

Ndërsa Refil Beshiri nga një kafiteri tjetër aty pranë, tha se këto punime kanë bërë që në mungesë të punës ato të mbyllen. Ai po ashtu u ankua se inspeksioni dhe policia po i pengojnë në punë, duke ua marr tavolinat në kafiteri.

Përkundër, ankesave të bizneseve se punimet po shkojnë shumë ngadalë, drejtori i drejtorisë së infrastrukturës lokale, Hyseni Durmishi, thotë se punimet po zhvillohen pikërisht sipas planit dinamik, të paraparë nga kompania përgjegjëse.

Ndërsa sa I përket numrit të punëtorëve, Durmishi tha se kompania përgjegjëse, asnjëherë nuk punon me 3 punëtorë, ndonëse fronti për punë nuk është i gjerë. Por, në rast se plani, i cili ka paraparë që punimet të përfundojnë për 180 ditë punë, nuk zbatohet, atëherë kompania fituese e kontratës do të ketë penalizime nga ana e Komunës së Prishtinës.

Ndërsa sa i përket bizneseve, të cilat veprimtarinë e tyre e kryejnë mbi pllato, Komuna është e vetëdijshme që puna e tyre ka rënë, por kjo sipas tij është një interes kolektiv i shumë banorëve, andaj edhe interesat individuale të disa bizneseve nuk do të merren parasysh.

Kompania “Rexha”, e cila po kryen këto punime në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka paraparë që punimet të kryhen në afat kohor prej 180 ditë pune. Por, numri i punëtorëve, të cilët punojnë aty, sipas qytetarëve është aq i vogël, saqë këto punime, jo që nuk do të zgjasin 180 ditë pune, por do të zgjasin së paku një vit e gjysmë.