​Peticion dhe protestë për zbardhjen e vrasjes së veprimtarit kombëtar Remzi Hoxha

TË FUNDIT

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasja e biznesmenit dhe veprimtarit të njohur, Remzi Hoxha, ende nuk është zbardhur e vërteta rreth vrasjes së tij. Familjarët e Hoxhës kanë organizuar një peticion online, përmes të cilit kërkohet zbardhja e vrasjes së veprimtarit patriot Remzi Hoxha, 20 vjet më parë.

Në peticion familjarët theksojnë se armiku kryesor që po vret shpresën që Remzi Hoxha të ketë një varr, është koha.

“Provat zhduken. Afate të caktuara treten. Kujtesa popullore rreth bëmave të tij gjithashtu zvogëlohet. Kriminelët që dinë, që urdhëruan arrestimin e tij, dhunimin e tij, që e heshtën zhdukjen e tij, kanë pasur mundësi të rishpikin veten. Qeveritë që i zënë vendin njëra tjetrës merren me punët rutinë dhe harrojnë vendosjen e drejtësisë për një krim unikal në historinë e pluralizmit shqiptar”.

Të hënën familjarët së bashku më një grup organizativ, do të marshojnë në Shkup në ora 10:00, me datën 20 tetor (e martë) në Prishtinë, dhe me datën 21 tetor (e mërkurë) protesta do të jetë në Tiranë, në kërkim të zbardhjes të së vërtetës së eliminimit fizik të Remzi Hoxhës.