​FSK: Ne e gjetëm trupin e pajetë të Sead Alushit

TË FUNDIT

Një ditë pas gjetjes së trupit të të riut nga Mitrovica Sead Alushi në ujërat e lumit Ibër, ministria e FSK-së nëpërmjet një komunikate për media sqaron se trupin e Alushit e kanë gjetur ekipet e shpëtimit të FSK-së.

“Ekipi i Kërkim-Shpëtim në ujëra i Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së, pas 19 ditësh të operacionit të kërkimeve në lumin Ibër të Mitrovicës, dje rreth orës 13.00 e gjeti trupin e pajetë të Sead Alushit 17 vjeç, nga fshati Suhadoll i Mitrovicës. Seadi, më 10 prill 2015,tek sa po tentonte ta kalonte lumin Ibër ishte mbytur”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate bëhet e ditur se gjatë 19 ditëve të kërkimit, FSK-ja kishte angazhuar çdo ditë, një ekip profesionistësh në ujëra prej 17 deri 40 pjesëtarë(varësisht prej rrethanave)me 4 automjete, dy barka si dhe pajisjet specialistike për kërkim-shpëtim në ujëra.

“Ekipi i specializuar i FSK-së në ujëra, trupin e pajetë të Sead Alushit e ka gjetur në lumin Ibër, në vendin Rudare të Zveçanit, rreth orës 13.00, ndërsa më pastaj është bërë identifikimi i tij, nga ekipi i Mjekësisë Ligjore”, thuhet në njoftim.

Përveq kësaj në këtë komunikatë bëhet e ditur se gjatë kohës së zhvillimit të operacionit,ekipi i kërkim-shpëtimit të FSK-së, ka gjetur në lumin Ibër edhe një trup të pajetë të një qytetari të moshës mbi 60 vjeç, të komunitetit serb.

Ekipi i kërkim–shpëtimit të FSK-së, gjatë tërë kohës së operacionit u përkrah dhe pati një bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, Policinë e Kosovës, udhëheqjen e komunave, qytetarët dhe strukturat tjera komunale.