Sekretari amerikan i shtetit John Kerry pritet të arrijë sot në Kubë, ku përsëri do ta ngrejë flamurin në ambasadën e porsahapur të SHBA-ve në Havanë, që u hoq 54 vite më parë.
Kubanët e thjeshtë do të gëzohen, biznesmenët amerikanë do të lidhin kontakte, ndërsa Kerry do të bisedojë me ministrin e Jashtëm kuban, me peshkopin e kishës katolike romake të Kubës dhe me një grup të përzgjedhur disidentësh, lajmërojnë agjencitë botërore.
Pas kësaj, përkujtojnë ato, vjen pjesa më e rëndë e punës, ngase pas largimit të Kerryt diplomatët që negociuan për hapjen e serishme të ambasadës do t’i përkushtohen fazës së re të detantit – zgjerimit të lidhjeve ekonomike midis dy vendeve dhe vendosjes së masave si fluturime direkte dhe linja postare.
Amerikanët po ashtu kërkojnë të zgjidhin çështjen e pronave të konfiskuara pas revolucionit kuban, ndërsa Kuba ka kërkesat e veta.
Ish-lideri kuban Fidel Castro dje në një kolumne të botuar në ditëlindjen e tij, shkroi se SHB-të i kanë borxh Kubës “miliona dollarë” për shkak të dëmeve nga embargoja.
Presidenti amerikan Barack Obama dhe kolegu i tij kuban Raoul Castro, publikuan më 17 dhjetor se do të rivendosin marrëdhëniet diplomatike. Obama tha se do të zbusë embargon tregtare amerikane kunëdr Kubës me një sërë aksionesh ekzekutive të cilat amerikanëve do t’u mundësojnë që më lehtë të udhëtojnë në Kubë dhe të tregtojnë me klasën gjithnjë e më të shumtë të biznesmenëve praivatë në këtë vend.
