Planet e organeve hetuese të Suedisë për marrjen në pyetje të themeluesit të Wikileaks-it Julian Assange në ambasadën ekuadoriane në Londër janë vënë në pikëpyetje, për shkak të bllokadës nga ana e Ekuadorit, i cili këtë e kushtëzon me lejimin e azilit politik për të nga ana e Suedisë, njoftuan autoritetet e Stokholmit.
“Nëse dëshiron azil (Assange) duhet të vijë në Suedi”, deklaroi një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë së Suedisë.
Prokurorët suedezë fillimisht kërkonin që Assange të udhëtojë për në Suedi për t’u marrë në pyetje lidhur me akuzat kundër tij për përdhunim, por themeluesi i Wikileaks-it e refuzoi kërkesën e tillë, duke u frikuar se Stokholmi do të mund ta ekstradonte në SHBA, ku rrezikon proces gjyqësor për shkak të publikimit të dokumenteve sekrete amerikane në internet-faqen e tij.
Pas një ngecjeje në rrugë qorre prej më shumë muajve, në mars të këtij viti hetuesit suedezë u pajtuan që ta marrin në pyetje Assange në ambasadën ekuadoriane në Londër, por kjo tani është vënë në pikëpyetje për shkak të kërkesës së re të Ekuadorit për azil politik.
