Shkolla “Ismail Qemali” në Çair, probleme nga çdo anë!

1040
0
SHPËRNDAJE

Shkolla “Ismail Qemali”  që ndodhet në Fushë Topane,  ka kaluar  kapacitetin që ka për numrin e nxënësve. Në këtë shkollë ndjekin mësimin  rreth 1300 nxënës, gjë që ka sjellë hapësirat e këtij institucioni shkollor të mos jenë të mjaftueshme për nxënësit e katër klasave të para.
Drejtoria, e gjendur në rrethana të tilla, kishte vendosur që  filloristët të ndjekin mësimet në hapësirat e çerdhes përballë. Edhe  pse në gjendje të mirë, çerdhja nuk ka karrige të mjaftueshme për fëmijët. Pasi drejtoria s’ka buxhet për të blerë karrige, prindërit kanë marrë iniciativë që të mbledhin nga 500 denarë, për të plotësuar këtë mungesë të këtij institucioni  shtetëror.
Por, sado e vogël si shumë, jo të gjithë e kanë mundësinë për të kontribuar.

“E them dhe e mirëpres këtë iniciative, si prind. Nuk bëhet fjalë për kritikë ndaj atyre  që po i mbledhin këto para, por është kritikë për ato që nuk i mundësojnë kushtet për mësim”, thotë Lindita Ameti, prind.

Nga drejtoria e shkollës  thonë se  janë të informuar për këtë iniciativë të prindërve, por vetëm kaq. Drejtori thotë se asnjëherë nuk kanë kërkuar dhe s’do të kërkojnë para në dorë nga prindërit.

Por, lind pyetja: Kush duhet t’i mundësojë kushtet për zhvillimin e mësimit në ambient të përshtatshëm?

“Drejtori: Për investime kapitale është përgjegjëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës, siç është një numër i madh i karrigeve ose për ndërtimin e një pjese të shkollës.
Gazetarja: Domethënë në këtë rast përgjegjëse për mungesën e karrigeve është ministria?
Drejtori: Siç duket  ashtu është”, u shpreh drejtori Kadri Agushi.

Gjendja bëhet edhe më e komplikuar kur njëkohësisht vazhdon të rritet edhe numri i fëmijëve në çerdhe, gjë që sjell kërkesën për lirimin e hapësirave të kësaj të fundit  nga fëmijët e katër klasave të para, që zhvillojnë mësimet aty. Drejtori Kadri Agushi, thotë se e ka informuar MASH-in për këtë gjë dhe se ka marrë përgjigje se kjo do të zgjidhet, por pa i saktësuar një datë konkrete.
Edhe pse në çerdhe mungojnë vetëm karriget, realiteti është ndryshe në hapësirat e vetë objektit kryesor të shkollës. Aty mungon edhe investimi në shumë aspekte.
Çati e vjetruar, kanalizim që kundërmon, tela elektrik  nëpër klasa, dritare të thyera, por edhe tualete në gjendje kaotike, por të dëmtuara edhe nga vetë nxënësit.
Pas disa përpjekjeve, morëm përgjigje nga ministri i Arsimit në lidhje me këtë çështje.

“Kur flasim për arsimin fillor, duhet të kemi parasysh se arsimi është i decentralizuar dhe të gjitha aktivitete ne i bëjmë në bashkëpunim me komunat. Nëse drejtoria e shkollës drejtohet tek ne nëpërmjet Komunës së Çairit për, eventualisht zgjerimin e shkollës, ose hapësira të reja, ose rinovimin e objektit aktual, sigurisht që do ta shqyrtojmë dhe do të mund ta fusim në program për vitin e ardhshëm”, thotë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.

Nga Komuna e Çairit nuk iu përgjigjën thirrjes sonë për prononcim në lidhje me këtë çështje.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU