Kryediplomatja e Shqipërisë, Olta Xhaçka sot në Shkup tha se pas marrëveshjes në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, beson se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të bëhet realitet shumë shpejtë, shkruan TV21. Xhaçka tha se Shqipëria e ka Kosovën në zemër dhe mendje në çdo vendim.
“Kosova është interesi ynë kombëtar. Ne e kemi Kosovën në mendje dhe në zemër sa herë marrim një vendim, qoftë në MPJ, qoftë në Qeveri, por edhe në çdo instancë tjetër të estabilishmentit politik në Shqipëri. Ka mbështetje absolute për Kosovën , për anëtarësimin e saj në Këshill të Evropës, për të gjithë procesin e njohjeve dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Ne jemi të koordinuar me Kosovën gjatë gjithë këtij procesi, ne lobojmë për Kosovën ashtu siç lobojmë për Shqipërinë dhe besoj që me normalizimin e marrëdhënieve, me gjithë çka kemi parë gjatë këtyre ditëve në avancimin e dialogut Kosovë- Serbi, mendoj që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të bëhet realitet shumë shpejt”, tha mes tjerash Xhaçka./tv21.tv