ZAEVI I VENDOSUR NË DEBATIN PUBLIK, “NUK DO NA QUAJNË MË FYROM”

0

Në ditën e dytë të debatit publik për ndryshimet kushtetuese kryeministri i vendit Zoran Zaev u ballafaqua me një sërë pyetjesh, të cilat kryesisht ishin kundër ndryshimeve kushtetuese.

Këtyre pyetjeve kryeministri Zaev iu përgjigj duke thënë se jemi duke shpëtuar nga emri i turpshëm FYROM.

“Kemi një shtet të pranuar nga të gjithë, nuk do ta kemi më emrin e turpshëm FYROM. Ky është thelbi i pyetjes. Kjo nuk është e lehtë as për ju,  e as për të tjerët. Por pyetja është, çka do t’ju lëmë fëmijëve?”, tha Zaev.

Profesori universitar Temelko Ristevski kishte disa vërejtje për nenin 49, kryesisht për amendamenti e katërt .

“Patjetër të kemi parasysh se Maqedonia është shtet multinacional dhe se në të nuk jetojnë vetëm qytetarë pjesëtarë të komunitetit maqedonas por edhe etnitet tjera. Për këtë kjo dispozitë për hir të së vërtetesës është diskriminuese”, tha Temelko Risteski, profesor universitar.

Ndërkaq sipas profesorit Nano Ruzhin, me këto ndryshime Maqedonia sjellë model se si zgjidhet një konflikt disavjeçar mes dy shteteve .

“Me tejkalimin e një problemi më pak, ne do të sjellim model të një zgjidhje të një konflikti. E shihni se çfarë ndodh mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe Bosnja është e tensionuar. Prandaj ne duhet të fokusohemi në zgjidhjen e problemit”, tha Nano Ruzhin, profesor universitar.

Këto debate organizohen për të parë pikëpamjet profesionale të ekspertëve dhe me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të drejtpërdrejte që të parashtrojnë pyetje për shqetësimet e tyre. Debatet publike për ndryshimet kushtetuese kanë filluar dje dhe do të zgjasin deri të hënën.

Përgatiti:Salije Sadiku