VMRO PO BËHET GATI PËR ZGJEDHJE, PUSHTETI TENTON TË SIGUROJË 2/3 PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE

0

Në prag të seancës plenare, e cila duhet të mbahet të hënën, në rend dite të së cilës do të jenë ndryshimet kushtetuese, pushteti tenton t’i bindë deputetët e opozitës që t’i përkrahin propozimet. Pasi propozimi kaloi në Komisionin për Çështje Kushtetuese, u hap rruga që në seancën plenare deputetët të marrin vendim të tyre për këtë çështje të rëndësishme, vlerëson shumica parlamentare. 

 Ne në të kaluarën kemi pasur mendime të ndryshime, polemika, kemi pasur shumë debate, madje edhe grindje të ndërsjella, por gjithmonë kemi pasur qëndrim të përbashkët dhe të unifikuar, sa i takon kësaj çështjeje të rëndësishme dhe historike. Tani është momenti ta dëshmojmë këtë dhe bashkërisht ta sigurojmë rrugën drejt BE-së dhe NATO-s për vendin tonë dhe qytetarët tanë, tha Pavlle Bogoevski , DEPUTET I LSDM-së.

 Përderisa pushteti bën përpjekje që të sigurojë shumicën prej 2/3, opozitarja VMRO-DPMNE po bëhet gati për zgjedhje të parakohshme. Siç thonë nga VMRO-DPMNE, ata do të jenë të gatshëm pa marrë parasysh nëse zgjedhjet mbahen më 25 nëntor, më 1 apo 2 dhjetor, ose në pranverë.

 Ne po bëhemi gati për zgjedhje, sepse çështja e ndryshimeve kushtetuese është tema e përfunduar. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, tha Trajko Sllavevski  VMRO-DPMNE .

 Por, tani parashtrohet pyetja nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zgjidhin diçka lidhur me numrin e deputetëve në Kuvend. Pushteti konsideron se me organizimin e zgjedhjeve të reja Maqedonia do të humbë kohë të çmuar.

“Ja të shpjegojmë, do ta them edhe një herë atë që e kam përsëritur disa herë – deklarimi në referendum nuk është arritur. Vendimi vlerësohet se është marrë vetëm nëse plotësohen dy kushtet. Nuk janë plotësuar, domethënë vendimi nuk është marrë… E lodhim Maqedoninë për dy-tre muaj shtesë me zgjedhje. Nëse votojmë kundër dhe nuk sigurohet shumica prej 2/3, nuk mund ta lëmë shtetin në situatë as andej as këndej.. Disi do të duhet të ndërmerren hapa dhe vendime të ardhshme, e këtë duhet ta bëjmë së bashku. Do të shpenzojmë një kohë të caktuar  për qëllimin e përbashkët, për qëllimin e bukur – BE dhe NATO”, tha Zoran Zaev , kryeministër I RM-së .

  Nga opozitarja VMRO-DPMNE edhe sot përsëritën se nuk kanë ndërmend të votojnë për ndryshimet kushtetuese, sepse siç thonë, vetë marrëveshja është antikushtetuese.

Në Nenin 118 të Kushtetutës thuhet se – marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën, që do të thotë me ligj të publikuar në Gazetën Zyrtare JANË PJESË E RENDIT JURUDIK TË BRENDRSHËM. Kjo marrëveshje nuk është pjesë e rendit juridik të brendshëm të vendit dhe nuk mund të jetë bazë për ndryshimin e Kushtetutës, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

 Propozimi i Qeverisë i dërguar në Kuvend, përmban katër ndryshime thelbësore të Kushtetutës. Futja e termit “Veriore”, ku përmendet Republika e Maqedonisë. Pastaj, ndryshime në Preambulën, në amendamentin për kufijtë, si dhe në amendamentin për kujdesin ndaj diasporës dhe shtetasve të Republikës së Maqedonisë që jetojnë jashtë. Këto ndryshime kanë për qëllim që Kushtetuta të harmonizohet me Marrëveshjen e arritur me Greqinë për ndryshimin e emrit. 

 

PËRGATITI: TV21

PAMJET:TV21 

MONTAZHI: S.SALIHI