VLON NË MINISTRINË E KULTURËS APLIKUESIT ANKOHEN, KOMISIONET ENDE SHQYRTOJNË PROJEKTET

0

Pa buxhet, pa lokacione se ku do të mbahen koncertet dhe pa plan të aktiviteteve. Kështu  i përshkruan disa aplikacione tashmë të refuzuara njëri nga komisionet në Mistrinë e Kulturës, të cilët nga dje kanë nisur shqyrtimin e qindra aplikusve që konkurruan për të fituar fonde.

Reagime të shumta pati edhe për “Skopje Jazz Festival”, por Pleorant Gashi, kryetar i komisionit, tha se  ky projekt është refuzuar për shkak dokumentacionit të pakompletuar.

“Unë u mundova ta bindi, se më përpara nuk e di si ka qenë. Megjithatë në dorën time kam konkursin dhe në dorën tjetër kam lëndën tuaj. Ju nuk përputheni me kushtet e kursit dhe për këtë arsye jam i obliguar që mos ta nënshkruaj këtë lëndë, se bëj thyerje të ligjit. Hasa në vesh të shurdhër dhe ai tha se do të ankohet në instanca më të larta dhe do ta rregullon punën”, theksoi Pleorant Gashi kryetar i komisionit.

Gashi tha se Komisioni ka bërë lëshim tek aplikimi për festivalin “Zllatno Sllavejçe”, dhe se për këtë do të miratohen fonde për tu realizuar projekti.

Ndërkaq anëtari i Komisionit për veprimtari dramatike, Ismet Ramadani tha se ky komision nuk ka vërejtur lëshime pas rishqyrtimit të projekteve të refuzuara. Sipas tij më shumë para ka marrë Teatri nacional maqedonas, pastaj Teatri i dramës dhe në vendin e tretë Teatri shqiptar.  Megjithatë ankesa kishte edhe për projektet të cilat janë miratuar, pasi siç pretendohet janë lëshuar pak para.

“Nëse argumentohet që janë pak mjete atëherë do të shikojmë dhe do të ulemi do të bisedojmë. Do të lëshohen mjete nëse është e nevojshme”, theksoi Ismet Ramadani anëtar i komisionit.

Komisionet nuk kanë afat se për sa kohë duhet t’i shqyrtojnë aplikacionet. Nga Ministria e kulturës thonë se vendimet për projektet e refuzuara do të anulohen nëse përcaktohen parregullsi. Më pas lista e projekteve do të plotësohet. Deri te ministria kanë arritur 5560 aplikime, prej tyre 2 781 janë miratuar.

ARBANA Q. KLIMENTA