(Video) Kreshnik Bekteshi paralajmëron investim konkret në energjetikë, “Osllomeja” do të prodhojë energji nga dielli

0

Maqedonia nuk ka naftë, ndërsa rezervat e qymyrit i kemi të limituara. Burime të prodhimit të energjisë elektrike që i kemi por i shfrytëzojmë pak, janë era dhe dielli. Qeveria po zotohet se 2019-ta do të jetë vit i ekonomisë dhe investimeve kapitale. Ndërsa sot mes ELEM-it dhe Bankës Evropiane për Zhvillim u firmos marrëveshje për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet prej 10 megavatësh në termocentralin “Osllomej” në Kërçovë.

“Prodhimi total vjetor nga centrali i ri fotovoltaik është rreth 15 gigavat në orë, mjaftueshëm për të mbuluar kërkesat vjetore të rreth 2000 amvisërive në Maqedoni”, tha Dragan Minevski, Drejtor i ELEM.

Drejtori i BERZH Herri Karpenter tha se ky është një ndër projektet e tyre më të mëdha jo vetëm për Maqedoninë por edhe për rajonin.

“Më parë kemi thënë se mund të zgjidhni mes asaj të jeni të pastër dhe të lirë, por kjo nuk është më çështja. Sektori i energjetikës po ndryshon në mënyrë radikale. Çdo ditë po bie çmimi i teknologjisë së ri përtëritshëm me erë dhe diell. Çështja tani është që me treg dhe rregullativa e mirëorganizuar do të thotë se ju mund të keni energji të lirë dhe të pastër”, u shpreh Harry Boyd Carpenter, Drejtor i BERZH.

Ky investim është kapital për rajonin e Kërçovës, tha Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke paralajmëruar ndërtimin edhe të një tjetër centrali fotovoltaik po në “Osllomej” me kapacitet prej 20 megavatësh.

“Një investim i cili do të ndihmojë rritjen e kapacitetit të prodhimit të këtij centrali por njëkohësisht do të zvogëlojë edhe varshmërinë e Maqedonisë sa i përket importit të energjisë elektrike”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

“Kjo paraqet shembull se si një objekt që pothuajse e harruam në Maqedoni, e që është TEC “Osllomej”, që me përjashtime të vogla pothuajse nuk punonte vitet e fundit, dalëngadalë do ta shndërrojmë nga një objekt ndotës për prodhim të energjisë elektrike, në një objekt ekologjik që do të prodhojë energji të pastër elektrike”, u shpreh Koço Angjushev, Zv/Kryeministër për Çështje Ekonomike.

Vlera e projektit është 7 milion euro, prej të cilave 5,9 milion janë kredi e marrë nga Banka Evropiane për Zhvillim, ndërsa pjesa tjetër janë mjete të SH.A “ELEM”. Megjithatë ky projekt nuk do të sjellë punësime të reja, por 1000 të punësuar aktual në ELEM do të edukohen për të menaxhuar me teknologjinë e re.

Përgatiti: Besir Arifi